E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra, SHBA nuk ndryshon kursin “Withers” ndaj mazhorancës



Ardhja e ambasadorit të ri amerikan në Shqipëri nuk do të ndryshojë kursin mes Uashingtonit zyrtar dhe Tiranës. Një fakt i tillë u bë i ditur në një letër që ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane, Filip Gordon i ka dërguar kreut të diplomacisë shqiptare, zotit Ilir Meta, në lidhje me disa pakënaqësi të ngritura nga qeveria jonë për misionin e ambasadorit aktual, Xhon Withers II. Top Channel publikoi dje pjesë të mesazhit-përgjigjës që përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, që mbulon edhe Shqipërinë, zoti Gordon, i dërgoi ministrit Meta. Sipas këtij kanali, Gordon është shprehur se “Sekretarja ( e Shtetit, Klinton, - shën. red.) dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë”.

Mesazhi
Top Channel publikoi mbrëmë pjesë të një përgjigjes së një kërkese që DASH-i i ka dërguar qeverisë shqiptare për pakënaqësitë e shprehura ndaj misionit të ambasadorit amerikan Withers. Larg stilit fin diplomatik, me fraza të thëna “pa dorashka”, ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane, Filip Gordon, ka mbështetur deklaratat e përfaqësuesit diplomatik të SHBA-së deri më tani, duke bërë të qartë se qëndrimet e tij, janë qëndrimet zyrtare.
"Sekretarja dhe unë kemi besim të plotë tek ambasadori Withers dhe në punën që ai po bën për të çuar përpara marrëdhëniet tona dhe ndihmën për Shqipërinë në realizimin e potencialit të saj të plotë. Përkushtimi i tij ndaj idealeve të demokracisë dhe shtetit ligjor përgjatë 26 vitesh shërbimi të shquar kanë luajtur rol thelbësor në arritjen nga ana e Shqipërisë të anëtarësimit në NATO dhe respektimit të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO", - thuhet në letrën që publikoi dje stacioni televiziv, Top Channel. Po ashtu, në këtë mesazh ngrihet shqetësimi për emërimet në gjykata: "Ne mbështesim një transparencë të plotë të procesit të emërimit dhe konfirmimit të gjykatësve". Së fundi, në letër shprehet edhe shqetësimi për tejzgjatjen e krizës politike, e cila, sipas krerëve të Departamentit amerikan të Shtetit, po kushtëzon integrimin europian të Shqipërisë. "Ne besojmë se një zgjidhje e shpejtë e ngërçit politik do të lejonte Shqipërinë të vazhdonte të shënonte përparim në përmbushjen e objektivit të integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik".

Kursi
Ambasadori në ikje, Xhon Withers mbetet ndër ambasadorët me më shumë ulje-ngritje në raportet me mazhorancën. Emërimet e reja në Gjykatën Kushtetuese, nismat ligjore për Lustracionin, SHISH-in, etj., kanë acaruar ndjeshëm marrëdhëniet e përfaqësuesit diplomatik të Uashingtonit në Tiranë me qeverinë dhe veçanërisht zotin Berisha. Kjo e fundit, nuk ka hezituar ti kundërpërgjigjet Withers, madje, të shprehë pakënaqësinë për misionin e tij edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Pikërisht në momentin kur po përfundonte detyrën Ëithers, dhe kur pritej ardhja e ambasadorit të ri, Aleksandër Arvizu, SHBA jep mesazhin se nuk ka ndërmend që të ndryshojë kursin e deritanishëm ndaj mazhorancës qeverisëse. Për aq më tepër, ambasadori i ri, zoti Arvizu, ndonëse gjatë karrierës së tij diplomatike, nuk ka eksperienca në Shqipëri, apo rajonin e Ballkanit, është një mik i vjetër i zotit Withers. Fillimi i vjeshtës, kur agjenda e mazhorancës pritet të jetë më e ngjeshur dhe më e tensionuar në përballjen me opozitën, nuk do të shënojë mbylljen e problemeve të vjetra dhe pakënaqësive që la Withers në prag të largimit të tij.

Beqja: “Berisha shkel premtimin, nuk u jep shtesën e pagës buxhetorëve”

Deputeti: “Qeveria shtrenjton jetesën për qytetarët, INSTAT-i e mbështet”

PS-ja akuzon qeverinë se e ka rritur inflacionin në 7 muajt e parë me 4,1%

Eneida Jaçaj

Partia Socialiste e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se nuk ka mbajtur premtimin për shtesën e pagës ndaj buxhetorëve. Deputeti Ilir Beqja deklaroi dje se qeveria nuk ia ka dhënë ende të punësuarve buxhetorë shtesën e pagës që u premtoi në korrik. Beqja u ndal edhe te shtrenjtimi i jetesës së qytetarëve. Ai e akuzoi sërish INSTAT-in se manipulon shifrat që dëshmojnë rritjen reale të çmimeve të shportës. Ndryshe nga INSTAT-i, Beqja deklaron se inflacioni mesatar në 7 muajt e parë është 4,1%, dhe jo 3,7%. “Nëse INSTAT-i nuk do të manipulojë me peshën e qiramarrjes në buxhetet familjare mujore, inflacioni mesatar real në 7 muajt e parë është 4,1%”, - u shpreh Beqja, duke shtuar se inflacioni mesatar real për pensionistët në 7 muajt e parë është rreth 5%. “Edhe të dhënat zyrtare, sado që manipulohen nga Instituti i Statistikave të Sali Berishës, nuk e fshehin dot të vërtetën e shtrenjtimit të jetesës për shqiptarët. Të dhënat zyrtare raportojnë se disa zëra të rëndësishëm jetese janë shtrenjtuar me dy shifra krahasuar me një vit më parë”, - deklaroi Beqja. Deputeti socialist ka listuar produktet më të rëndësishme të jetesës, që sipas tij, janë shtrenjtuar nën pushtetin e qeverisë “Berisha”. “Frutat janë shtrenjtuar 10%. Perimet janë shtrenjtuar 11%. Sheqeri dhe nënprodukte të tij janë shtrenjtuar 12%. Energjia elektrike është shtrenjtuar 13%. Uji i pijshëm është shtrenjtuar 26%. Shërbimet spitalore janë shtrenjtuar 13%. Shërbimet mjekësore, paramjekësore dhe dentare janë shtrenjtuar 52%. Buka po shtrenjtohet ditë pas dite, ndërkohë që tregu i grurit dhe miellit kontrollohet nga monopolet e lidhura me qeverinë”, - deklaroi deputeti socialist. Përpos këtyre, Beqja njoftoi se në shtator telefonia fikse do të shtrenjtohet dyfish, sepse, sipas tij, kështu ka vendosur Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Deklarata
“Stream Oil”, i përgjigjet opozitës: Mos largoni investitorët”

Presidenti i kompanisë “Stream Oil” me qendër në Kanada, Sotirios Kapotas, nëpërmjet një deklarate për shtyp, u është përgjigjur akuzave të Partisë Socialiste për korrupsion. Në deklaratë theksohet se “Stream Oil” është një kompani që punon në mënyrë transparente dhe nuk ka asnjë afiliacion politik. Ai kërkoi ndërprerjen e akuzave duke kërcënuar me tërheqjen e investimit dhe humbjen e vendeve të punës. “Ne shpresojmë që para çdo hapi legal ose ndonjë veprimi tjetër, burimet përkatëse do t’i tërheqin deklaratat keqdashëse dhe faktet e pavërteta rreth kompanisë sonë pasi çdo informacion është publik për çdokënd, në çdo kohë në Bursën e Kanadasë”, - thuhet në deklaratë. Kjo kompani i bën thirrje opozitës të tërheqë akuzat e saj në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit. Në deklaratë thuhet se kompania do të vërë në dijeni autoritetet e qeverisë kanadeze, gjë që do të rrezikonte trendin pozitiv të investimeve, apo të çonte në mos dëshirën e investitorëve për të vazhduar të investojnë në Shqipëri, duke sjellë impakt dramatik në ekonominë e vendit. “Do të doja të pyesja që si qeveria shqiptare, ashtu edhe opozita të na bëjnë me dije publikisht nëse: investitorë si Haywood, JP Morgan, CIM, TD securities etj., që kanë investuar miliarda dollarë në projekte në të gjithë botën, janë ose jo të mirëpritur që të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri? Shpresoj gjithashtu, që si Shkëlqesia e tij, Kryeministri, ashtu edhe lideri i opozitës të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t’i ndaluar këto akuza të pambështetura kundër kompanisë sonë e që mund të ketë impakt negativ në tregun ndërkombëtar, duke sjellë jo vetëm humbje financiare, por edhe humbjen e qindra vendeve të punës të ‘Stream” në Shqipëri”, - thuhet në deklaratë. Siç sqarohet në deklaratë, “Stream Oil & Gas” është kompani publike kanadeze për prodhimin, zhvillimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit, e cila tregton në bursën e Torontos nën simbolin “SKO”. Kompania ka tregtuar në bursat kanadeze që në vitin 2005 dhe të gjitha informacionet rreth saj, nënvizohet në deklaratë, janë publike e lehtësisht të aksesueshme nga çdo person e në çdo kohë. Në deklaratë thuhet se në vitin 2007, pas negociatave të gjata, “Stream Oil & Gas”, që është dege 100% në varësi e në pronësi të plotë të “Stream” (Ishujt Cayman), firmosi një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol sh. a. dhe një marrëveshje licence për 25 vjet me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) për të zhvilluar operacione në zonat e naftës Ballsh – Hekal, Gorisht – Kocul dhe Cakran – Mollaj, si dhe në zonën e gazit në Delvinë. Marrëveshja hidrokarbure i kërkonte “Stream” që të angazhohej për një program investimesh minimumi 4.8 milionë dollarë për 18 muajt e parë të periudhës së vlerësimit.

Reagimi

Imeraj: “PS-ja nuk sulmoi Stream Oil”

Pas deklaratës së kompanisë “Stream Oil” ka reaguar menjëherë zëdhënësja për shtyp e Partisë Socialiste, Armela Imeraj. Ajo sqaroi se Parti Socialiste nuk kërkon të sulmojë kompanitë private dhe të huaja që investojnë në Shqipëri, por korrupsionin qeveritar. “Dëshirojmë të sqarojmë se denoncimet e Partisë Socialiste për korrupsionin e qeverisë ‘Berisha’ nuk kanë asnjë lidhje me kompani shqiptare apo të huaja që kanë zgjedhur të investojnë apo të bëjnë biznes në Shqipëri. Denoncimet e Partisë Socialiste godasin korrupsionin e qeverisë ‘Berisha’, korrupsion i cili shpeshherë vendos dhe biznese në shërbim të përfitimeve të jashtëligjshme, në konflikt të hapur interesi, për hesap të familjes në pushtet”, - u shpreh Imeraj. Prej ditësh PS-ja ka hedhur akuza mbi ish-këshilltaren ekonomike të kryeministrit Sali Berisha, Albana Vokshi. Sipas saj, Vokshi e ka këshilluar kryeministrin t’i japë kompanisë së naftës së bashkëshortit të saj, Arian Tartari, koncesione pa tender, ndërkohë shtetit i paguan një taksë mjaft qesharake. Kështu, sipas selisë rozë, kryeministri i ka falur Vokshit 4 miliardë dollarë pasuri publike.

12 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›