E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i çon Topit emrin e Maksim Malajt për Shef Shtabi

Pak më shumë se një muaj nga dita e shkarkimit të Luan Hoxhës si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nga Presidenti Topi, kryeministri Berisha i propozon pasardhësin e tij. 

Afrim Imaj

Maksim Malaj, një prej katër ushtarakëve të lartë të dekretuar me gradën madhore "Gjeneral Brigade" është propozimi i kreut të qeverisë për shefin e ri të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Zyra e shtypit e kryeministrit Berisha bëri të ditur dje në mesditë propozimin për Maksim Malajn. "Në mbështetje të pikës 3, të nenit 169 të Kushtetutës dhe të neneve 7, pika 5, 16, pikat 2 e 3 dhe 30, pika 1, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000, "Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, kryeministri Sali Berisha i propozoi Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, emërimin në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, pas propozimit të kryeministrit Berisha, pritet që presidenti Topi të hedhë firmën e tij. Në nenin 169, pika 3 e Kushtetutës citohet se, "Presidenti i Republikës, me propozim të kryeministrit, emëron dhe shkarkon shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore".
Maksim Malaj
Duke folur për gazetën "Panorama", pak orë pas propozimit të kryeministrit Berisha, gjeneral Maksim Malaj tha se, emërimi në detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm është jo vetëm vlerësim, por edhe përgjegjësi e madhe në përmbushjen e detyrave dhe objektivave të rëndësishme që kanë Forcat e Armatosura në rrugën e integrimit të plotë në NATO. I pyetur për vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar aktualisht ushtria, sidomos pas ngjarjes tragjike të Gërdecit, Gjeneral Malaj u shpreh se, Forcat e Armatosura i kanë të gjitha resurset e nevojshme, korpusin e ushtarakëve të përgatitur e të motivuar, efektivat e përkushtuar, si dhe kanë mbështetjen e mbarë opinionit dhe garantojnë në çdo kohë realizimin e misionit kushtetues. "Reformat do të vazhdojnë pa ndërprerje, madje me ritëm më të shpejtë, për të përmbushur standardet e NATO-s", vijoi kreu i ri i Forcave të Armatosura. Për Gjeneral Malajn prioritet mbetet krijimi i një ushtrie operacionale, më të vogël në numër, por më cilësore e me efektiva profesionistë. Zgjerimi i misioneve paqeruajtëse, do të jetë ndërkaq një nga objektivat e punës së Forcave të Armatosura në kuadrin e integrimit të plotë në NATO. Më 16 qershor, fiks tre muaj pas tragjedisë së Gërdecit dhe gati një muaj pas propozimit të kryeministrit Berisha, presidenti Topi shkarkoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxhën. Firma e presidentit Topi mbi këtë propozim të kreut të qeverisë, u duk se nuk do të hidhej për shkak të konfliktit publik mes tij dhe maxhorancës parlamentare për pesë dekretet e Gjykatës së Lartë. Kryeministri Berisha kishte kërkuar shkarkimin e tij me motivacionin si përgjegjës kryesor për tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, ku ngelën 26 të vdekur dhe rreth 300 të plagosur.

Kush është Maksim Malaj

Maksim Malaj është një prej katër ushtarakëve të lartë të dekretuar nga presidenti Topi rreth një muaj më parë me gradën "Gjeneral Brigade". Në vitet 1978-1981 ai kreu studimet në Akademinë Ushtarake "Skënderbej", Këmbësori, Tiranë dhe në vitet '90-'92 Akademinë e Mbrojtjes. Më pas ka ndjekur disa kurse, si ai i oficerit të shtabit në Holandë; kursin për armëkontrollin në Kroaci; kurs trajnimi për vrojtimin ajror në Bullgari; kurs për ndikimin e fatkeqësive në mjedisin e sigurisë po në Kroaci; kurs trajnimi (organizimi i një vizite vlerësuese në kuadër të dokumentit të Vjenës 1999) në Angli; si dhe disa seminare, si inspektimi i përgjithshëm i ushtrisë amerikane në Gjermani; kurs Shtabi i Forcave të Bashkuara Operacionale në Holandë; kurs "Studime të strategjisë së Mbrojtjes" në Gjermani etj. Gjithashtu Malaj ka punuar si instruktor i përgatitjes së zjarrit në Shkollën e Instruksionit në Zall-Herr, komandant batalioni territorial në Vorë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›