E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Post qeveritar deri më 31 korrik,ose largohemi

Pas vonesave të njëpasnjëshme dhe moshedhjes së asnjë hapi në drejtim të përfshirjes së republikanëve në qeveri nga ana e kryeministrit Berisha, këta të fundit kërcënojnë me largim nga qeveria. 

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, tha dje në një prononcim për gazetën "Panorama" se, nëse kryeministri Berisha nuk do të vendosë deri në fund të këtij muaji se çfarë posti do t'u japë republikanëve, ata mund të tërhiqen nga qeveria. "Kam bindjen se kryeministri Berisha do të gjejë një zgjidhje deri në fund të këtij muaji, por nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, ne do të rishikojmë pjesëmarrjen tonë në qeveri", shprehet Godo, duke lënë të kuptohet se mund të tërhiqen nga qeveria edhe dy zv/ministrat Neritan Alibali, nga Ministria e Ekonomisë dhe Aleksandër Garuli, nga Ministria e Mjedisit. Megjithatë sipas Godos, një gjë e tillë nuk do të ndodhë me postet dytësore që ka kjo parti në rrethe, pasi sipas tij, këto poste janë fituar falë rezultatit të republikanëve në zgjedhjet e 18 shkurtit. Në të njëjtën kohë Godo bën të ditur se, nëse nuk do të gjendet një zgjidhje për futjen e PR-së në qeveri, do të ketë rishikim të pozicionit vetëm për sa i përket nivelit ekzekutiv dhe jo daljes nga koalicioni. I pyetur nga gazeta se cilët janë postet që do të kërkojnë republikanët në kabinetin qeveritar, Godo u shpreh se, kjo forcë politike pret ofertën konkrete nga PD-ja dhe kushti i saj i vetëm është që të drejtojë një ministri me peshë. "Në kabinetin qeveritar ka parti me deputetë dhe kanë ministri të rëndësishme, ndërsa PR-ja është partia e dytë më e madhe e koalicionit të djathtë", shtoi më tej Godo. Më tej sipas themeluesit të Partisë Republikane, e vetmja gjë e sigurt është se ai vetë dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, nuk do të jenë pjesë e qeverisë, ndërkohë që të gjithë emrat e tjerë të zyrtarëve të lartë, janë kandidatë, në varësi të postit ministror që do të drejtojë kjo parti. Megjithëse deklaruan se nuk do të përfshihen në qeveri deri në momentin e zbardhjes së plotë të tragjedisë së Gërdecit, republikanët tashmë janë tërhequr nga kjo deklaratë. Fillimisht ishte kreu i grupit, Arjan Madhi, i cili deklaroi se, PR-ja duhet të rikthehet në qeveri dhe më pas Sabri Godo, i cili i vuri edhe ultimatum kreut të qeverisë për marrjen e një posti të rëndësishëm nga ana e PR-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›