E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha i jep njeriut të tij pyllin e Krujës për gurore

dokuKryeministri Sali Berisha, para ikjes së tij nga detyra, i ka bërë dhuratë një pyll në Krujë kompanisë Shpresa-Al, kliente e kontabilistes Shpresa Breçani, e afërme e familjes Berisha.

Kësaj kompanie i janë dhënë 19 hektarë nga pylli i Krujës për ta shfrytëzuar si gurore. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në datën 31 korrik të këtij viti, me firmën e kryeministri në detyrë Sali Berisha dhe ka numrin 654. Kompania që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këtë sipërfaqe është e regjistruar në QKR dhe për pronar Lush Osmanin, raporton Shekulli.

Qeveria në ikje vendosi që një zonë në Krastë-Krujëme një sipërfaqe prej 19 ha, ta përdorë shoqëria Shpresa- Al sh.p.k., për shfrytëzimin me karrierë të gurit gëlqeror. Vendburimi i Picragë, që i korespodon sipërfaqes së dhënë kompanisë do të hiqet nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave kjo sipërfaqe do të regjistrohet në kadastrën minerare, në administrim të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronësi publike. Ndërsa zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi të përcaktohen në terren dhe në hartë kufijtë e rinj të fondit pyjor kombëtar, që rezultojnë nga heqja e sipërfaqeve të këtyre ngastrave, sipas pikës 1 të këtij vendimi, bën çregjistrimin e saj nga kategoria Tokë e zënë, pyll, djerr dhe e regjistron në kategorinë Tokë e zënë, objekt shfrytëzimi me karrierë të gurit gëlqeror.

Firma me seli në Kamëz, Tiranë merret me transport mallrash dhe pasgjerësh brenda dhe jashtë vendit, tregtim me shumicë e pakicë artikujsh të ndryshëm, industriale, ushqimore, pajisje elektroshtëpiake dhe elektronike, konfeksione, kinkaleri, materiale ndërtimi, vegla pune, fruta perime, ushqimore, produkte bujqësore, makineri dhe pajisje, vegla bujqësore, vajra lubrifikantë në mënyrë stacionare, distributor dhe ambulant. Tregtim me pakicë karburante, produkte mishi të ndryshme, sallameri si dhe import eksport i tyre, inerte të llojeve të ndryshme, materiale ndërtimi, pajisje e makineri, rrobaqepësi civile dhe ushtarake, përpunim i lëndës drusore, dru zjarri, tregti tekstile, bizhuteri, shitblerje e tyre brenda dhe jashtë vendit. Përfaqësues ligjor është Lush Osmani, lidhje e kryeministrit në detyrë, Sali Berisha. Jo rastësisht kjo firmë, Shpresa-AL ka të drejtën ekskluzive të transportit urban Kamëz-Tiranë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›