Berisha i ofron Nard Ndokës postin e zëvendësministrit të Brendshëm
Ashtu siç premtoi në parlament pak ditë më parë, Berisha duket se ka nisur që tani përpjekjet për të ndërtuar një koalicion sa më të gjerë. Dhe e ka nisur me një ish- aleatin e tij, Nard Ndokën e demokristianëve, që ka një numër të konsiderueshëm votash. Ndoka, që së fundmi është shfaqur i lëkundur në qëndrimet e tij në koalicionin opozitar, do ketë mundësinë që të marrë postin e zëvendësministrit të Brendshëm nëse bashkohet në koalicion me Partinë Demokratike. Lajmin e bën të ditur Panorama. Ky është një post i rëndësishëm për Ndokën, pasi i jep atij mundësi të monitorojë procesin zgjedhor për partinë e tij nga një pozicion shumë komod. Nuk dihet ende se si do reagojë Ndoka ndaj këtij propozimi, ndërkohë që Berisha nuk ndalet në ofertat që i bën partive të vogla për të krijuar trenin e koalicionit.