E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i sigurt në fitore në vitin 2013

Seanca e fundit plenare e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2012 është shoqëruar me debate dhe akuza të forta mes mazhorancës dhe opozitës sa i takon arritjeve dhe dështimeve të të dyja palëve gjatë këtij harku kohor.

Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, janë përfshirë në debate dhe akuza të ndërsjella sa i takon refuzimit për të tretën herë të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.

Shefi i qeverisë akuzoi opozitën për mungesë vullneti dhe bllokim të qëllimshëm të reformave që do i hapnin rrugë vendit për në familjen e madhe evropiane, ndërkohë që numri dy i opozitës akuzoi kryeministrin se refuzimi ndodhi për shkak të politikës së gabuar të qeverisë ‘Berisha”.

Debatet kanë qenë të ndërsjella, ku nuk kanë munguar dhe deklarata mbi zgjedhjet e vitit 2013, për të cilat Berisha shprehu besimin se do fitohen nga Partia Demokratike. PDIU kërkoi nëpërmjet deputetit te saj, Dashamir Tahiri, futjen e Rezolutes Çame në kalendarin e Parlamentit.

Seanca e fundit e Kuvendit është mbyllur me thirrjen që kryeparlamentarja Jozefina Topalli i bëri ligjvënësve për miratimin e tri kërkesave të vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë, por projektligjet e përfshira në rendin e ditës së Kuvendit që prej 10 tetorit, nuk kanë gjetur konsensusin e opozitës. Ndërkohë, janë votuar të gjithë projektligjet e parashikuara në rendin e ditës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›