“Beteja e Kosovës” luftë e ashpër midis Nikoliqit e Daçiqit

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri, Ivica Daçiq, gjatë ditëve të kaluara kanë shprehur qëndrime aq të ndryshme lihdur me platformën për Kosovën sa nuk është e qartë se si do të harmonizohet teksti i rezolutës së ardhshme ndërmjet presidentit dhe qeverisë, shkruan e përditshmja beogradase Blic.
Derisa Daçiqi insiston në vazhdimin e dialogut me Prishtinën si kusht për eurointegrime, Nikoliqi thekson se platforma është mbrojtja e fundit që Serbisë të mos i merret Kosova, duke konstatuar se “efekti më i mirë i platformës do të jetë ai që shqiptarët do t’i braktisin bisedimet”.
Nikoliqi dëshiron që sa më parë, më së largu deri më 10 janar, të miratohet rezoluta përkatëse në parlament, kurse Daçiqi e lë mundësinë që dialogu të zgjatë me muaj.
“Ne po përgatitemi për atë takim dhe 10 janari nuk është dita D deri kur do të duhej diçka të bëhej, madje as 17 janari nuk është dita D, kur duhet sërish të takohemi Thaçi, Ashton dhe unë”, tha kryeministri serb.
Sipas Nikoliqit ndërkaq, rezoluta duhet të miratohet para Krishtlindjes ortodokse (më 7 janar), në mënyrë që negociatorët të jenë të fuqizuar për dialog edhe me qëndrimin e parlamentit serb.
Sipas tij, platforma për Kosovën është reale dhe në nivel në të cilin e ka sjellë shtetin Partia Demokratike e Tadiqit.
“Platforma është akti i fundit. Unë jam duke e shkruar atë me vite. Dhe për çdo vit heq ndonjë kompetencë (ingjerencë), sepse e shoh se më shumë nuk mund të arrihet. Ky është një test i mirë për politikanët në Serbi se çka mendojnë, çka flasin e çka punojnë. Daçiq tashti ka për detyrë të zbatojë, ai nuk negocion. Kështu që unë nuk mund të jem i pakënaqur me atë që bën kryeministri, pasi ne duhet të zbatojmë marrëveshjet e arritura deri tash”, tha Nikoliq./Indeksonline/