Berisha inaguron rrugë: Infrastrukturë moderne për çdo shqiptar

Infrastrukturë moderne dhe më shumë punë për shqiptarët. Ky ka qenë zotimi i Kryeministrit Berisha përballë banorëve të Shkozës, teksa ka bërë përurimin e dy akseve rrugore Uzina e Autotraktorëve-Lana Bregas dhe Ura e Surrelit-Farkë, të cilat lidhin komunat me kryeqytetin e vendit.
Gjatë fjalës së tij Berisha numëroi rreth 950 km rrugë të asfaltuara vetëm në qarkun e Tiranës, mbi 10 mijë km në shkallë vendi, ndërsa shtoi se janë në proces ndërtimi mbi 1500 km të tjera rrugë.
Berisha duke vlerësuar si shumë të rëndësishme investimet në infrastrukturë, theksoi se është e vetmja fushë ku cdo dollar investim kthen me 4.6-5 herë vlerën e investimit, ndërsa e vlerësoi dhe si element kyc në zhvillimin e vendit dhe rritjen e punësimit të qytetarëve.
“Inagurojmë sot dy rrugë të bukura në komunat tuaja që bashkojnë këto komuna me kryeqytetin. Ju siguroj se investimet në këto zona s`do kenë të ndalur, do ndërtojmë terësisht infrastrukturën derisa ju të ndjeheni të njëjtë me cdo lagje të kryeqytetit. Në qarkun e Tiranës numërohen 950 km rrugë, jemi të vendosur për asfaltimin e cdo km rrugë. Vendosmëria jonë për infrastrukturën vërtetohet me faktin se kemi mbi 10 mijë km rrugë të asfaltuara në të gjithë vendin dhe janë në ndërtim mbi 1500 km rrugë.
Në 2005 kur erdhëm në pushtet në mbarë vendin ishin të asfaltuara vetëm 2430 km rrugë dhe c`ishte më e keqja zona të tëra të vendit ishin të dënuara për tu injoruar pasi konsiderohishin zona të asgjësë. Ne do shkojmë me infrastrukturë moderne aty ku banojnë shqiptarët në të katër anët e vendit. Shqipëria është vend i pasur, pasuritë duhet të shndërrohen në vlera dhe kusht themelor është zhvillimi i infrastrukturës rrugore, cdo dollar investim në rrugë kthen me 4.6-5 herë vlerën e investimit. Rruga bën të mundur zhvillimin e biznesit” tha Kryeministri.
Duke ju referuar raportit të një muaji më parë të KE-së, Berisha shtoi se Shqipëria numëron numrin më të madh të autostradave, superstradave dhe rrugëve të ndërtuar se gjithë rajoni në terësi dhe 4-fishim të ekonomisë krahasuar me mesataren e rajonit në 4 vitet e fundit.
“KE një muaj më parë deklaroi se Shqipëria ka ndërtuar autostrada , superstrada dhe rrugë më shumë se gjithë rajoni në terësi. Kjo u bë e mundur duke mbajtur borxhin e pandryshuar, u ndërtuan rrugë se kjo ekonomi në 4 vitet e fundit u rrit 4 herë më shumë se mesatarja e rajonit dhe kjo u bë e mundur nga përkushtimi i mazhorancës , PD dhe aleatëve të saj për të zgjidhur problemet e qytetarëve shqiptarë.
Sic ndërtuam rrugën do ndërtojmë rrugicat, shkollat dhe cdo gjë që ju keni nevojë. Nuk mohojmë se s`kemi vështirësi dhe se kriza botërore nuk ka pasoja për Shqipërinë, por ky model ekonomik që kemi vendosur ka bërë që ekonomia pas përgjysmimit të taksave të dyfishojë buxhetin për investimet në vend. Cdo vit kemi rritur rrogat dhe pensionet si asnjë vend tjetër. Kjo ka qenë dhe mbetet një politikë konstante , politikë sociale .Për ne krijimi i vendeve të punës mbetet përparësia absolute” shtoi Berisha.
Kryeministri ka ironizuar edhe opozitën me akuzat për privatizimin e ndërmarrjeve, ndërsa vlerësoi se privatizimi është një nga drejtimet më të sukseshme të një ekonomie. Në këtë kontekst Berisha tha gjithashtu se Shqipëria ishte i vetmi vend që s`pati rritje të papunësisë, por ulje të saj.
Dy akset rrugore, përkatësisht Uzina e Autotraktorëve-Lana Bregas dhe Ura e Surrelit-Farkë me gjatësi rreth 6,5 km dhe një investim prej 157 milionë lekë do tu vijnë në ndihmë rreth 20 mijë qytetarëve të këtyre komunave, duke u lehtësuar lidhjen me kryeqytetin e vendit.