Berisha inaguron tunelin e Krrabës dhe fton Ben Blushin të mbajë premtimin për të marrë teseren e PD-së
Kryeministri Berisha ka inaguruar sot hapjen e tunelit të Krrabës, një segment i rëndësishëm i autostradës Tiranë-Elbasan, e cilësuar pas rrugës së kombit, si vepra e dytë më e madhe publike në vend.
Urime më vllazërore për këtë ditë e cila do të mbetet në memorien tonë si një ditë e krenarisë sonë individuale, e krenarisë sonë kombëtare sepse ne sot më 16 qershor të vitit 2013 bëjmë të vërtetë, realizojmë një ëndërr tonën, një ëndërr të gjeneratave të tëra të cilat ëndërronin që një ditë Elbasani, ky qytet i shpirtit dhe zemrës së bardhë të shqiptarëve, djepi i dijës dhe i shkollimit të bashkohet me Tiranën nëpërmjet një tuneli. Emocionet janë të ëmdha dhe ato nuk kanë të përshkruar por kënaqësia është shumë e madhe sepse sot në 16 qershor vendi që vetëm 6 vite më parë kishte rrjetin rrugor më të shkatërruar dhe më të prapambetur po çan malet, po ndërton tunele, kryevepra inxhinierike, po ndërton realitete të reja gjeografike, ekonomike dhe sociale tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha ftoi deputetin e PS-së Ben Blushi që të mbajë fjalën e dhënë dhe të marrë teseren e Partisë Demokratike.
Kam menduar për zotimin e Ben Blushit dhe kam vendosur ta ftoj në selinë e PD-së dhe ti jap dokumentin e Partisë Demokratike dhe këtë vetëm e vetëm për ti dhënë atij mundësinë njëherë në jetë në mbaj fjalën e tij. E pres në seli kur të doj që tia dorëzoj atë dokument sepse ne tunelin e ndërtuam tha Berisha./A.XH