Berisha inauguron Levan- Vlorë: Kjo është një rrugë moderne. Opozita po kërcënon investitorët
Kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin e përfundimit të punimeve në autostradën Levan-Vlorë. I shoqëruar dhe nga Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të organizuar në hyrje të qytetit bregdetar, raporton Ora Neës. Gjatë fjalës së tij, kryeministri tha se sot inaugurojmë njërën nga rrugët më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë, por dhe për rajonin, duke e vlerësuar autostradën Levan-Vlorë të krahasueshme me ato të vendeve më të zhvilluara në botë.
Duke mbetur tek rëndësia e kësaj vepre, kryeministri u shpreh se autostrada shkurton në masë të madhe distancat e Vlorës me Levanin, Fierin e Tiranën, duke bërë të mundur ecjen me 120 km/h në gjatësinë e saj prej 24.5 km. Berisha përsëriti atë që ka thënë shpesh mazhoranca se rruga që ka kushtuar 60 milion euro është nga rrugët më të mira në rajon.
Berisha më tej theksoi se Vlora po bëhet çdo ditë e më shumë një kryeqendër në rajon, ndërsa shtoi se investimi total në qarkun Fier dhe Vlorë, gjatë qeverisjes së kësaj mazhorance arrin në 1,2 miliardë euro.
Qeveria ka investuar në 2 qarqet e mëdha të Fierit dhe Vlorës, në rrugë, kanalizime, ujësjellësa, centrale, termocentrale, linja elektrike, në energji, në naftë dhe të gjithë sektorët, një shumë në total prej 1.2 miliardë euro. Janë ndërtuar 900 km rrugë, 165 ujësjellësa, 120 shkolla, subvencionuar 4200 hektarë ullishte, vreshta dhe dru frutorë, tha kreu i qeverisë.
Shqipëria i mbijetoi krizës, ju jeni dëshmitarë, përveç rrugëve, në Shqipëri po hapen vende të reja pune, po investohet. Besimi tek Shqipëria dhe shqiptarët është sot më i madh se kurrë. Në Shqipëri rritja ekonomike në 4 vitet e fundit është 4 herë më e madhe se rritja mesatare e rajonit, tha ai, ndërsa u shpreh se objektivi i kësaj qeverie në mandatin e ardhshëm mbetet shndërrimi i Shqipërisë në vend të zhvilluar.
Ndërkaq Berisha akuzoi opozitën se po kërcënon investitorët vendas dhe të huaj, ndërsa shfrytëzoi rastin për tu bërë edhe njëherë thirrje investitorëve të huaj dhe vendas që të investojnë në Shqipëri.
Jemi në krye të botës për investime të huaja për frymë dhe ato vijnë gjithnjë në rritje. Por Rama i kërcënon investitorët e huaj, u thotë do tu marr këtë do të marr atë, kjo sndodh në asnjë vend të lirë, kjo ndodh vetëm me këtë opozitë e cila ka mentalitet të vjetër.