E Diel, 1 Nëntor 2026

FRD zyrtarizon degën e Fierit. Oketa: Shqiptarët rrëzuan një nga regjimet më të egra në Europë, do ia dalin dhe kësaj here

Fryma e Re Demokratike zyrtarizoi sot degën e saj në Fier. Qytetarët e Fierit, Roskovecit, Levanit, Ballshit u mblodhën së bashku në sallën e madhe të teatrit Bylis.

Koordinatori për Fierin, avokati Redian Bitri tha në fjalën e hapjes: Për shumë kohë kërkova të gjeja vendin tim në vendin tim. Konstatova se partitë ekzistuese përbetohen e angazhohen, por fatkeqësisht mësova se preokupimi i tyre i vetëm është pushteti i tyre dhe jo jetesa e popullin tim. Kjo më shtyu tek FRD, programi dhe drejtuesit e të cilët më mbushën me besim se ka ardhur koha të bëjmë vërtetë diçka për vendin.

Më tej foli inxhinieria Majlinda Hasillari. Unë e zgjodha partinë që përfaqeson interesat e e mia, të thjeshta dhe njerëzore. Ju ftoj, si nënë dhe grua të mbështesim FRD, tha ajo.

Problematikat e zonës së Patosit i solli në fjalën e tij koordinatori për këtë zonë i FRD, Dashnor Mustafaraj.

Patosi, i dashur nga natyra dhe plot pasuri nafte, duhet të ishte një vend i begatë, por ndonëse ka dhënë shumë punë e pasuri dhe në vitet e demokracisë, vazhdon të jetë i varfër dhe i harruar nga politikat qeveritare. Prandaj duhet të

bashkohemi me FRD, e cila nuk kërkon karriget për politikanët, si dhe e kanë treguar me vepra drejtuesit e saj, por shpëtimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës, tha Mustafaraj.

Dikush mund të thotë se unë nuk tradhtoj PS-në, dikush mund të thotë se nuk tradhtoj PD-në. Po kur PS-ja dhe PD-ja na tradhton ne, kur lidershipi i tyre na ka tradhtuar prej kohësh ne dhe interesat e kombit, a ia vlen të rrimë e të ndjekim nga pas atë lidership që ka vendosur të mbretërojë përjetësisht? Unë kam besim tek Fryma e Re Demokratike dhe jam këtu që këtë besim ta ndajmë bashkë, kam besim tek pastërtia e njerëzve që janë nismëtarë të kësaj fryme të re, kam besim tek ju, tek populli ynë i mrekullueshëm. Ne u themi atyre se vendi i njerëzve të ndershëm dhe që duan të punojnë për kombin, për demokracinë, për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre është këtu, në radhët e FRD, tha Stavri Ristani, anëtari i Grupit Nismëtar të FRD.

Gazmend Oketa, kryetari i Grupit Nismëtar të FRD-së, deklaroi se Fieri dhe zonat përreth janë plot resurse natyrore dhe njerëzore.

Por fatkeqësisht me sa duket e gjithë kjo pasuri nuk e ka ndihmuar këtë zonë të jetë e zhvilluar siç duhej të ishte, pasi më tepër se nga qytetarët, këto 22 vite këto pasuri janë përdorur nga pushtetarët. Sot ne jemi vendi i varfër me disa politikanë të pasuruar nëpërmjet politikës. Me disa politikanë të cilët ia kanë dalë të shesin Shqipërinë

për tu pasuruar për vete, deklaroi Oketa.

Ne ndjehemi të shqetësuar për varfërimin e përditshëm moral, shpirtëror, ekonomik e politik të Shqipërisë. Ne ndjehemi të shqetësuar kur shohim këtë klimë pasigurie që ka kapur jetesën e përditshme të qytetarëve shqiptar. Por, nga ana tjetër, ne besojmë shumë se ka ardhur koha që kjo situatë të ndryshojë. Shqiptarët, të cilët ia dolën të rrëzojnë një nga regjimet më totalitare të Europës, kanë gjithë forcën e mendjes dhe të shpirtit për të fituar dhe kësaj radhe, deklaroi Oketa, i cili bëri thirrje që dhe Fieri duhet të bashkohet me FRD për ti dhënë fund tranzicionit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›