E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha injoron protestat: Do të dorëzoj pyetësorin e KE

“Jashtë zhurmës së kutive, vendi ka njohur reforma”

Mitingut të Partisë Socialiste më 30 prill, mazhoranca do t’i kundërpërgjigjet me dorëzimin brenda këtij muaji të pyetësorit të Komisionit Europian mbi aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës së Komisionit Ndërministror të Integrimit. Dorëzimi i këtij pyetësori nga ana e Shqipërisë pritet të bëhet në Bruksel, në një ceremoni që do të jetë i pranishëm edhe komisioneri europian për zgjerimin, Stefan Fyle. Data e dorëzimit të pyetësorit pritet të jetë e afërt me 30 prillin, datë në të cilën do të mbahet edhe protesta e paralajmëruar nga opozita. Dorëzimi i pyetësorit afër datës së protestës pritet të përdoret si simbolikë nga ana e Kryeministrit, i cili kërkon të theksoj se puna në Shqipëri për plotësimin e detyrimeve po ecën sipas parashikime të bëra më parë dhe se ngërçi plotik i shoqëruar nga bojkoti i opozitës nuk po ndikon në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kështu, Berisha theksoi se ky pyetësor i plotësuar në kohë të shpejtë ka ardhur si rezultat i reformave të pandërprera të qeverisë. Kryeministri theksoi se këto reforma janë kryer ndonëse zhurmës që opozita ka krijuar për çështjen e hapjes së kutive të votimit. “Jashtë zhurmës së kutive, vendi ka njohur reformat më të fuqishme, më të shpejta, më të vendosura se në çdo periudhë tjetër të tij, reforma të cilat kanë sjellë dhe sjellin transformime epokale”, deklaroi Berisha në fjalën e tij. Sipas Berishës, mënyra e kthimit të përgjigjeve është bërë në përputhje me problemet reale që ka vendi dhe situata është paraqitur e kthjellët dhe e saktë. Kryeministri paraqiti dje në mbledhjen e radhës së Komitetit ndërministor të Integrimit dhe një kopjo CD-je në të cilën është përgatitur i gjithë materiali me përgjigjet e 2283 pyetjeve të ardhura nga Komisioni Europian. Por sipas Berishës, qeveria do të marrë edhe disa javë në dispozicion për sa i përket rishikimit të të gjithë materialit në mënyrë që versioni përfundimtar të jetë sa më afër “anglishtes së Brukselit”. Sipas Kryeministrit, qeveria është e përgatitur edhe për rishikim të materialit pas datës së dorëzimit, nisur edhe nga problemet që mund të hasen në kuptueshmërinë e europianëve, për shkak të gjuhës së përdorur. “Duhet të jemi të përgatitur për të pritur gabime në përkthim dhe rishikime nisur nga kjo. Prandaj duhet t’i bëjmë edhe një lexim për të pasur siguri më të madhe në përkthim, në mënyrë që termat dhe vendosja të mos ndërrojnë idenë e asaj që duhet të themi”, paralajmëroi Kryeministri Berisha. Duke qenë se mbledhja e djeshme e komitetit ishte e fundit, Kryeministri gjeti rastin të përshëndeste dhe të falënderonte të gjithë ata punonjës administrate, institucione dhe persona të tjerë, të cilët kishin kontribuar për kthimin e pyetjeve. Sipas Berishës, plotësimi i këtij pyetësori shërbeu edhe si një test për administratën shqiptare. Po ashtu, Berisha nuk i kurseu fjalët e mira për Ministrinë e Integrimit, e cila sipas tij, organizoi një proces të paprecedentë për nga volumi dhe rëndësia në vend. Pas shqyrtimit të këtij pyetësori, Shqipëria pret të marrë edhe miratimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, status ky i cili i hap rrugë edhe përpjekjeve për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në Bashkimin Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›