E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza politike, Parlamenti Europian sjell të dërguarin për monitorim

Vëzhgimi Chountis takon Topallin dhe interesohet për hetimin parlamentar të zgjedhjeve

Një javë pas vizitës së tij në Tiranë, Delegacioni i Parlamentit Europian për Europën Juglindore ka dërguar një raportues special në Shqipëri për të mbledhur material të plotë në lidhje me plotësimin e kushteve nga Shqipëria për liberalizimin e vizave. Europarlamentari grek, Nikolaos Chountis, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Ballkanit ka mbërritur dje në Tiranë ku ka zhvilluar takime intensive me drejtues të lartë të shtetit, drejtuesit e opozitës, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ndërkohë që delegacioni i drejtuar nga eurodeputeti Eduar Kukan, vizitoi Tiranën një javë më parë ku ka zhvilluar takime me drejtues të lartë, raportuesi special do të mbledhë materiale dhe më pas do të hartojë një përmbledhje të hollësishme për situatën në Shqipëri, i cili do të miratohet nga seanca plenare e Parlamentit Europian që pritet të zhvillohet së shpejti. Raportuesi Chountis do të mbikëqyrë situatën në lidhje me plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, por edhe për zbatimin e kritereve politike dhe ekonomike në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE. Ditën e djeshme, europarlamentari Nikolaos Chountis, është takuar me kreun e Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, takim i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura, me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e Kuvendit, thuhet se “zoti Chuntis u shpreh se kemi qenë dhe mbetemi mbështetës së lëvizjes së lirë të qytetarëve në Europë dhe përkrahim fort heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.

Kryetarja e Kuvendit theksoi se mbështetja gjithnjë e më e fortë që vjen nga komisionerët e BE-së dhe eurodeputetët për heqjen e vizave është për ne shumë inkurajuese”. Në takim Topalli ka sulmuar ashpër liderin e opozitës, Edi Rama. “Ne do të bëjmë çdo gjë, që të merret vendimi për heqjen e vizave, pavarësisht nga përpjekjet e një njeriu për ta penguar këtë, përmes sjelljeve jo europiane”, tha ajo. Ndërkaq, siç mësohet, raportuesi i Parlamentit Europian është interesuar për dështimin e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës dhe komisionit për hetimin e zgjedhjeve. Eurodeputeti grek, Nikolaos Chountis, nesër do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, drejtuesit e Partisë Socialiste, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, ndër të tjera dhe me kreun e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Pas mbërritjes në Bruksel, Chountis do të hartojë raportin për Shqipërinë, i cili do të diskutohet në delegacionin për Ballkanin e më pas në seancë plenare. Nikolaos Chountis është eurodeputet grek, që i përket grupit parlamentar të së majtës së bashkuar dhe ambientaliste europiane.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›