E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gëzim Kame: Si e kujtoj Qirjaqin

Kame ishte regjisori i fundit me të cilin bashkëpunoi në teatër

Gëzim Kame ishte regjisori i fundit që e ngjiti në skenë Agim Qirjaqin. Roli te “Pjata prej druri” do të shënonte sforcon e fundit për t’i dhënë fjalët një roli në Teatrin Kombëtar. Regjisori kujton se që atë kohë, teksa bënin provat, Qirjaqit iu shfaqën simptomat e para, për të cilat kolegët ende nuk ishin në dijeni. “Ne nuk kuptonim asgjë pse Gimi kishte mungesë vëmendje në prova, harrim teksti. Këto mund t’i ndodhin çdo aktori, por një profesionist dhe me përvojë e kalon këtë situatë. Qirjaqi shpesh bllokohej, nuk dilte nga situatat dhe kjo na bëri shumë përshtypje. Por nuk e pranonim dot që Gimi ishte i sëmurë”, tregon Kame. Për sa i përket bashkëpunimit të fundit me të, regjisori e quan një kujtim të veçantë. “Qirjaqi ishte me një stof vërtet intelektuali në interpretim, një aktor me shumë kulturë, me diapazon të gjerë në regjisurë, aktrim, me një kulturë dhe bagazh shumë të gjerë. Mbi të tëra qe një njeri jashtëzakonisht i mirë. Në oborret e teatrit ka zakonisht smira, ka fjalë midis kolegësh, ndërsa ai ka qenë ekuilibrist. Nuk është marrë kurrë me këto problemet e vogla, ka parë punën e vet. Një aktor vërtet i mrekullueshëm. Kur e shihje kohët e fundit në atë gjendje ndieje një keqardhje shumë të madhe. Atij iu privuan edhe 20 vjet nga jetëgjatësia normale”, thotë Kame.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›