E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-investitorëve italianë: Shqipëria parajsë për biznesin

Një pjesë e fjalës së kryeministrit ishte për të shkuarën e vështirë që ka përjetuar Shqipëria, ndërsa është ndalur edhe në zhvillimet e vendit gjatë dy dekadave të fundit.

Ai theksoi se Shqipëria iu ofron investitorëve milanezë dhe lombardë potenciale shumë të mëdha. “Shqipëria është një vend në transformim të madh. Ne, që kemi pasur një infrastrukturë të botës së tretë, tani jemi duke ndërtuar një infrastrukturë shumë moderne. Unë mund t’ju siguroj se në dy ose tre vjet, infrastruktura rrugore do të jetë infrastruktura më e re dhe më moderne në gjithë Ballkanin e më gjerë”, tha Berisha. Ai shtoi se qeveria shqiptare po bën ç’është e mundur për t’iu krijuar lehtësira investitorëve të huaj, duke hequr barrierat burokratike. 

“Investitorët milanezë, investitorët lombardë mund të regjistrojnë biznesin e tyre në Shqipëri për gjysmë ore, për një euro dhe kjo do të thotë 27 për qind më lartë se mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD-së. Ata do të gjejnë në Shqipëri një klimë më të favorshme biznesi. Vendi im është 7 për qind më  lart, se mesatarja e vendeve anëtare të OECD-së, për investimet ndërsektoriale. Ne kemi bërë një revolucion të vërtetë në fushën e licencave dhe lejeve. 2/3 e tyre janë kthyer në vetëdeklarim. Ajo çfarë mbeti u mblodh në një Qendër Kombëtare për Licencat dhe Lejet. Ky institucion nuk ka qenë kudo një sukses, por në Shqipëri është një sukses i madh”, shtoi kryeministri. 

Sipas tij, Shqipëria ka regjimin fiskal më të favorshmin në Evropë, me kontributet shoqërore 15 për qind për sipërmarrësit, me tatimin mbi fitimin prej 10 përqind, tatimin për të ardhurat personale prej 10 përqind e shumë tarifa të hequra. Ai foli më tej edhe për investimet në fushën e energjisë. “Në Shqipëri do të ndërtohen 440 hidrocentrale elektrike të madhësive të ndryshme, ndër tyre edhe projekti më i madh i Evropës, kaskada e Devollit, me një vlerë prej një miliard euro. Një projekt që do të realizohet nga austriakët dhe norvegjezët. Firmat italiane kanë një interes të madh e po punojnë. Qeveria ime, me partneritetin publik-privat, ka arritur të firmosë kontratat e koncesionit për 220 hidrocentrale, të gjitha me sektorin privat. Investitorët shqiptarë po presin investitorët, konstruktorët milanezë për të investuar në këtë fushë”, nënvizoi kreu i qeverisë shqiptare.

Kryeministri Berisha përmendi edhe zhvillimin e turizmit në vend, kushtet gjeografike, duke shtuar se në të ardhmen Shqipëria do të jetë një vend transit për kalimin e gazit dhe të produkteve të tij. /Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-19 09:27
  [ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›