Berisha kalon nga centrali bërthamor te prodhimi i energjisë së gjelbër
Kryeministri shqiptar, pro marrëveshjes në Samitin e Klimës në Kopenhagën. “Objektivi i qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në superfuqi të energjisë së gjelbër”
Eljona Ballhysa
Deri dje qeveria shqiptare synonte dhe bënte plane për ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike. Aktualisht kryeministri Berisha deklaron se objektivi i qeverisë është që Shqipëria të bëhet një superfuqi e prodhimit të energjisë së gjelbër. Të dyja këto deklarata janë bërë brenda një harku prej një viti nga kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pak kohë më parë Berisha deklaroi synimin e qeverisë për ndërtimin e një centrali bërthamor, ndërsa dje, në fjalën e mbajtur në Samitin për Mbrojtjen e Klimës në Danimarkë, Berisha tha se Shqipëria do të kthehet në një superfuqi të prodhimit të energjisë së gjelbër. Në fjalën e mbajtur në Samit, Berisha është shprehur e gatshme të pranojë çdo marrëveshje për uljen e sasisë së karbonit të emetuar në atmosferë. Megjithëse kjo marrëveshje kundërshtohet nga vendet e varfra, Berisha u shpreh i gatshëm për ta pranuar dhe për këtë qëllim kërkoi financime nga shtetet e zhvilluara.
Deklarata
“Ndryshimet klimatike përbëjnë një kërcënim serioz për planetin tonë dhe përbëjnë një nga çështjet më komplekse që duhet adresuar me vendosmëri e efikasitet. Shqipëria, edhe pse çliron në atmosferë 5 herë më pak gazra, me efekt serre, për frymë të popullsisë, në krahasim me vendet e industrializuara është një vend që ka filluar të përballet me pasojat që lidhen me ndryshimet korrente të klimës, veçanërisht në zonën e bregdetit të Adriatikut. Shqipëria është e vendosur për të plotësuar detyrimet që rrjedhin nga UNFÇC dhe Protokolli i Kyotos”, - është shprehur Berisha, ndërsa bëri të ditur se qeveria shqiptare ka integruar në Strategjinë e saj të Zhvillimit Kombëtar parimin e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe nxitjen e teknologjive të gjelbra, duke synuar drejt një ekonomie pa karbon. “Objektivi i qeverisë sime është ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi të vogël prodhuese të energjisë së gjelbër në rajon. Aktualisht, rreth 95% e burimeve dhe e konsumit të energjisë së vendit tim vjen nga energjia hidrike. Potencialet hidrike janë shumë të mëdha. Më shumë se 2/3 ngelen për t’u shfrytëzuar. Në këtë kontekst ne planifikojmë të ndërtojmë rreth 440 hidrocentrale me një fuqi totale prej, së paku 20 miliardë kilovat-orë. Janë firmosur kontrata për rreth 130 prej tyre. Kompani nga e gjithë bota punojnë sot në vendin tim”, - është shprehur kryeministri. Gjatë fjalës së tij Berisha ftoi kompanitë e huaja të financojnë në prodhimin e energjisë së gjelbër në Shqipëri. “Kriza financiare ka ngadalësuar flukset financiare drejt tyre, ndaj dhe unë i ftoj institucionet financiare të vendeve tuaja dhe institucionet ndërkombëtare të ndihmojnë këto kompani për të vazhduar punën. Do të jetë shumë fitimprurëse jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Shqipëria është vendi me lartësinë mesatare më të madhe në Europë dhe ka një bregdet të gjatë, me mbi 400 km. Ka platforma të mëdha ere dhe ne po përpiqemi të inkurajojmë prodhimin e energjisë së erës. Deri tani janë licencuar mbi 2000 MW parqe eolike, mijëra të tjera janë në studim e sipër. Së bashku, energjia hidrike, e erës dhe biomasa, bëjnë më shumë se 5 bilionë euro kontrata të nënshkruara si koncensionar. Shpresoj se nga ky samit, institucionet financiare do të inkurajohen për t’i dhënë prioritet financimit të projekteve të tilla”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare. Ai theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar drejt prodhimit të energjisë së gjelbrës. “Si një vend që është në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, gjithë zhvillimi industrial dhe aktiviteti ekonomik i vendit po realizohet nën rregulla të rrepta ligjore, miqësore me mjedisin dhe konform normave dhe standardeve të BE-së. Shqipëria është e interesuar dhe e gatshme për të kontribuar për zgjidhjen e çështjeve për të cilat kohët e fundit po diskutohet intensivisht në lidhje me ndryshimet klimaterike. Ne besojmë se ky samit duhet të gjejë rrugëzgjidhje për kuota të reja reduktimi të emetimeve të gazeve me efekt sere dhe të ofroje përgjigje për disa nga problemet e evidentuara gjatë zbatimit te protokollit të Kyotos, si: krijimi i një sistemi monitorimi për zbatimin e detyrimeve për reduktim nga vendet anëtare, konsolidimi i një sistemi kontributi financiar dhe transfertash të teknologjisë ekologjikisht të pastër drejt vendeve në zhvillim apo të pazhvilluara”, - është shprehur Berisha.
18 Dhjetor 2009