Samiti i Kopenhagës, liderët, pesimistë për arritjen e marrëveshjes për klimën
Udhëheqësit botërorë të mbledhur prej dy ditësh në Samitin e Klimës në Kopenhagën të Danimarkës shprehen pesimistë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje sot në ditën e fundit të punimeve të Samitit. Burimet nga Samiti bëjnë të ditur se ndasitë mes palëve vazhdojnë të qëndrojnë dhe dallimi kryesor vazhdon të mbetet në pyetjen se cilat shtete do të duhet të zvogëlojë emetimet e dyoksidit të karbonit në natyrë, sa të mëdha duhet të jenë ato dhe sa financime duhet të jepen për vendet e varfra që ato t’u përshtaten ndryshimeve klimatike. Duke folur për BBC-në, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha se kishte shpresë që delegatët do t’i linin mënjanë dallimet dhe të bënin përparim të vërtetë në takim. Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Obama, që pritet të premten në Samit, ka besim se do të sigurohet një marrëveshje për emetimet e karbonit. Obama beson se një marrëveshje operative ishte e mundshme. Ndërsa kryeministri britanik, Gordon Braun, që ndodhet në Kopenhagë, tha se është një moment kritik për samitin. “Ka mundësi që ne të mos arrijmë një marrëveshje dhe është gjithashtu e vërtetë që ka shumë çështje për t’u zgjidhur”, - është shprehur Braun, duke shtuar se ai është i vendosur të bëjë çdo gjë për arritjen e kësaj marrëveshjeje. “Mendoj se mund të luajmë një rol shumë të rëndësishëm për t’u siguruar që në këtë javë të rëndësishme të arrijmë një marrëveshje ambicioze për ndryshimin e klimës”, - tha kryeministri Braun.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme daneze tha se qeveria e tij po bënte sa kishte mundësi për të minimizuar efektin mbi atmosferën të këtij takimi të madh. Për këtë arsye, disa udhëheqës, si ai tajlandez, austriak dhe finlandez, kanë dhënë një shembull të mirë duke udhëtuar me avionë komercialë, në kontrast me avionët e mëdhenj privatë presidencialë, me të cilët kanë udhëtuar Barak Obama e Nikola Sarkozi. Madje edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pranuar se bisedimet në Kopenhagë nuk janë pozitive. Kancelarja gjermane shpreson që me mbërritjen e krerëve të shteteve situata të zhbllokohet. “Lajmet që na vijnë nuk janë të mira. Aktualisht bisedimet nuk janë premtuese, por shpresoj që prezenca e më shumë se 100 krerëve të shteteve dhe qeverive t’i japë impulsin e duhur Samitit”, - është shprehur Merkel. Krerët e shteteve, të mbledhur në Samitin e Kopenhagës për Klimën, synojnë të arrijnë një marrëveshje që i detyron vendet e zhvilluara dhe të varfra që të ulin nivelin e emetimit të karburanteve në atmosferë në mënyrë që të mbrohet klima. Kjo është parë si e vetmja mënyrë për të ulur temperaturat me 2 gradë celsius. Por kjo marrëveshje kundërshtohet nga vendet e varfra, pasi ato detyrohen që në të njëjtën mënyrë si vendet e pasura, që emetojnë më shumë karburant për shkak të industrisë së zhvilluar, të investojnë të njëjtën sasi parash për industri të zhvilluara që prodhojnë energji të gjelbër.
18 Dhjetor 2009