E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha kërcënon me largim nga Kombëtarja!Besart Berisha flet për lënien jashtë Kombëtares për miqësoren ndaj Qipros

Kushtrim Krasniqi (Prishtinë, 7 gusht) - Edhe pse ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me Arminia Bielefeldin e Bundesligës 2, emri i Besart Berishës çuditërisht nuk është gjendur në emëroren e përzgjedhësit të Kombëtares Shqiptare, Josip Kuzhe për miqësoren e së mërkurës ndaj Qipros. 

Sulmuesi kosovar ka mbetur i befasuar me vendimin e trajnerit kroat dhe vetë drejtuesit e Kombëtares, te të cilët thotë se nuk ka përkrahjen e duhur. Ai kërcënon edhe me largim nga Kombëtarja.

“Nëse përzgjedhësi Josip Kuzhe, ose presidenti Armando Duka nuk kontaktojnë me mua për arsyet e lënies jashtë miqësores me Qipron, unë do të mendoj seriozisht për t’u larguar nga Kombëtarja. Nuk e kam përkrahjen e duhur dhe nuk jam lojtar që një herë të thirrem e një herë jo”, - ka deklaruar Berisha të premten për “Sport”.

I zhgënjyer me vendimin e Kuzhes

Berisha së bashku me Edmond Kapllanin nuk u ftuan nga përzgjedhësi kroat. Sulmuesi i Augsburgut ishte kontaktuar nga Kuzhe, por jo edhe ai i Bielefeldit, për të cilin Kuzhe kishte thënë se do ta kontaktojë gjatë ditës së enjte.

“Nuk jam kontaktuar nga askush, dhe nuk i di arsyet pse nuk jam ftuar. Jam shumë i zhgënjyer për këtë vendim të Kuzhes, pasi në këto çaste jam kthyer në formën e vjetër dhe përfundimisht kam arritur 100 përqindëshin tim, pas lëndimit të pësuar 2 vjet më parë”, - shtoi 24-vjeçari.

 “E meritoj të jem pjesë e Kombëtares”

Prishtinasi në miqësoren e 2007-s kundër Maltës, për pak kishte humbur karrierën pas një lëndimi të pësuar në fanellën kuqezi. Lëndimi i pësuar bëri që ai të mos jetë pjesë e Bërnlit të Anglisë, ndërsa iu deshën dy vjet për t’u kthyer në 100 përqindëshin e tij.
“Për pak kam lënë karrierën time me Shqipërinë pas atij lëndimi të pësuar, kurse Kombëtarja tani sikur luan me mua, herë më fton e herë jo. Mendoj se cilësitë e mia i duhen Kombëtares, pasi e meritoj të jem pjesë e saj, dhe të kontribuoj për fanellën kuqezi”, - përfundoi Berisha, që javën e kaluar nënshkroi për Bielefeldin. Ai pritet të debutoj të hënën me skuadrën e re në sfidën ndaj Hansa Roshtok.

Shqipëria të mërkurën do të sfidohet nga Qipro në miqësoren që do të luhet në “Qemal Stafa”, në prag të sfidave mënjanuese ndaj Danimarkës dhe Suedisë.

E Diele, 09 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›