E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha kërkon pushtet mbi gjykatat

Qëndrimi Berisha: Në Europë kushtetutat u japin pushtet edhe legjislativit e ekzekutivit

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, hodhi dje në Kuvend idenë për të pasur një ndarje të propozimeve për emërimin e gjykatësve midis tri institucioneve, Presidentit-Parlamentit-Ekzekutivit. Kryeministri Berisha e ka lidhur propozimin e tij duke iu referuar tentativës së mazhorancës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit. “Lexoni kushtetutat europiane për gjykatësit, të cilat kanë një ndarje të propozimeve midis Presidentit, Parlamentit dhe Ekzekutivit”, tha Kryeministri Sali Berisha, duke iu drejtuar opozitës. Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar këtë nismë, duke i kujtuar Kryeministrit Berisha se ka qenë pikërisht ai shumë vite më parë, i cili e ka ndryshuar rregulloren për mënyrën e votimit në Kuvend, që të bëhet në mënyrë të fshehtë. “Sot doni të hiqni votimin e fshehtë dhe të bëni votim të hapur. Keni kërkuar ju që votimet të bëhen të fshehta”, tha Ruçi. Në këtë mënyrë, Kryeministri Berisha kërkon që përveç Presidentit, të jetë edhe institucioni i Parlamentit dhe i ekzekutivit që të paraqesin propozimet e tyre në lidhje me emërimin e gjykatësve.

Votimi për dekretet e Presidentit për Gjykatën e Lartë e kanë çuar mazhorancën për të kthyer vëmendjen drejt strategjive të reja, me qëllim që edhe institucione të tjera të përfshihen në kompetencat që aktualisht janë e drejtë kushtetuese e Presidentit të Republikës. Kryetarja e Kuvendit deklaroi në fillim të seancës se ndryshimi i rregullores së Kuvendit, konkretisht neni 58, është vendosur të kalojë në seancë në punimet e ardhshme të Parlamentit. Shtyrja e votimit ka qenë një manovër e mazhorancës për të mos rënduar marrëdhëniet me opozitën, por edhe për të mos marrë e vetme iniciativa të tilla, duke i kërkuar opozitës 84 vota. Pavarësisht kësaj, qëndrimi i mazhorancës mbetet i njëjtë për t’i kryer votimet në mënyrë të hapur, ndërsa i opozitës është kundër këtij propozimi. Ndonëse është shtyrë votimi për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, dy forcat më të mëdha politike janë përplasur për këtë çështje, duke ndarë pikëpamje të ndryshme. Sipas Kryeministrit, të gjitha dekretet e Presidentit në vende të tjera të Europës bëhen në mënyrë të hapur, ndërkohë që opozita, nëpërmjet kreut të grupit të saj parlamentar, Gramoz Ruçit, theksoi se “deri tani votimi i dekreteve të kreut të shtetit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese bëhej me kuti ose i fshehtë me elektronikë”. Lidhur me ndryshimet e rregullores së Kuvendit, për miratimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Berisha tha se votimi i hapur i dekreteve është standard i vendeve me demokraci të zhvilluar dhe një procedurë që sjell konsolidim të transparencës parlamentare. Opozita, megjithëse e ka kundërshtuar ndryshimin e rregullores së Kuvendit për mënyrën e votimit, është treguar e rezervuar në lidhje me qëndrimin e Kryeministrit, se në kushtetutat europiane ka një ndarje të propozimeve për mënyrën e emërimit të gjykatësve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›