E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha konfirmohet në krye të PD me pesë vota kundërNga Tema Sali Berisha është konfirmuar në krye të Partisë Demokratike duke marrë vetëm pesë vota kundër në Kuvendin e nëntë të kësaj partie. Berisha ka marrë vetëm gjithsej 1204 vota, ndë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha konfirmohet në krye të PD me pesë vota kundërNga Tema

Sali Berisha është konfirmuar në krye të Partisë Demokratike duke marrë vetëm pesë vota kundër në Kuvendin e nëntë të kësaj partie. Berisha ka marrë vetëm gjithsej 1204 vota, ndërsa 30 vota janë shpallur të pavlefshme.

***

Pak orë pas 11 dhjetorit 1990, kur Ramiz Alia shpalli vendimin për pluralizëm, u krijua Partia demokratike. Ishte e para parti që shënoi mbërritjen e pluralizimit politik në Shqipëri. Të parat fjalë ishin liri, demokraci, ëndrra e të gjithë shqiptarëve të shtypur 50 vite nën regjimin komunist. Por çfarë ka ndodhur brenda kësaj partie këto 19 vite. Çfarë kuptimi kanë marrë fjalët liri, demokraci?

Po çfarë e ndan dhe çfarë e bashkon PD dhe kuvendin e saj kombëtar nga kongreset e PPSH?! Shumë gjëra. Së pari tani PD vepron në politikën shqiptare si rivale me parti të tjera. Por sa e ndryshme është mendësia që e ka shoqëruar Partinë Demokratike në zhvillimet e saj të brendshme në këto 19 vite të ekzistencës së pluralizmit në Shqipëri. Demokraci e brendshme është inekzistente në PD. Askush nuk guxon të dalë kundër liderit. Ky është edhe thelbi që logjikisht ndan një parti totalitariste me një parti pluraliste.

Kuvendi i djeshëm i PD-së e dëshmoi pikërisht këtë mungesë lirie dhe demokracie të brendshme. PD pati kuvendin e saj të nëntë, ku u zgjodh kryetari i saj Sali Berisha. E quajti veten fitues dhe tha se fituesi s’ka rival. Berisha tha se do të mendojë për pasardhës në krye të PD-së pas vitit 2024 ose pas vitit 2027.

Ka 19 vite që ai në të vërtetë s’ka rival në PD. Askush nuk guxon të hyjë në garë me të. Sali Berisha zgjidhet e rizgjidhet në krye të PD-së si në opozitë edhe në pushtet. Megjithëse ka humbur, ai prapë është zgjedhur në krye të PD-së, edhe pse dje tha se po të kishte humbur PD-ja në 28 qershor, atëherë kuvendi i djeshëm do të kishte zgjedhur një tjetër kryetar të PD-së. Vështirë të besohet se Berisha do ta pranonte këtë zgjidhje.

“E kaluam fazën e parë në kohën kur paraqitëm programin dhe na e votuan shqiptarët. Nëse do të ishim në opozitë në këtë fazë, do të kishim rastin të ripërtërinim udhëheqjen e saj, që do të thotë edhe mua. Në politikë nuk më mban asgjë tjetër përveç sovranit. Sa kohë do të më votojë, unë do qëndroj në politikë. PD ka personalitete të afta dhe të zotët, por në memorien time nuk di raste kur fitimtari të ketë pasur rival. Fitimtari, rival nuk mund të ketë. Duke lënë mënjanë modestinë në këtë rast këto 19 vite, imuniteti apo fondi i votave është sa i tërë rajonit i marrë së bashku. Katërmbëdhjetë herë jam votuar dy herë më shumë se kudo tjetër. Këtë analizoni dhe jo pse unë nuk pata peta lakrori. Mos u merrni se kishte rival apo s’kishte rival”, tha dje Berisha.

Dje folën vetëm tre drejtues të PD-së dhe diskutimi u mbyll. Nuk u fol për zërat kundër, nuk ishin disa figura të rëndësishme të kësaj partie, pa marrë parasysh këtu themeluesit e saj. Në sallën e djeshme të kuvendit të PD-së kishte shumë pak prej firmëtarëve të parë të themelimit të kësaj partie. Por Berisha sërish e konsideron veten fitues, pa rival, dhe PD një parti demokratike moderne. Dhe moderniteti i kësaj partie lidhet sipas liderit të saj, me zgjedhjen e Çiljetës në Këshillin Kombëtar të PD-së.

“Çiljeta e meritonte plotësisht. Unë e kuptoj atë interesin tuaj për kandidaturën, por Çiljeta është një demokrate e flaktë që shpreson tani që kanë mbaruar votimet, që delegatët e kongresit t’i kenë dhënë asaj votat e merituara, pasi fansat e saj janë të shumtë për muzikën dhe për politikën”, tha dje Berisha.

Edhe një platformë që synonte ndryshime në statut, për demokratizimin e partisë, paraqitur nga anëtari i kryesisë, Aleksandër Biberaj, është rrëzuar.

Në listën e të propozuarve për Këshill Kombëtar, që është votuar dhe rezultatet do dalin sot, kishte dhe disa kokrra nga ata që quhen mbështetës të presidentit, apo dhe kundërshtarë të Berishës, si Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj apo Omer Stringa, por shanset e tyre mund të jenë të vogla dhe vendet tua zënë emrat e rinj si Çiljeta apo Lefter Maliqi.

Dhe kjo nuk ka shumë rëndësi. Në ndryshimet e reja në statut nuk është sanksionuar fare sa herë duhet të mblidhet ky forum i rëndësishëm i PD.

***

Ajo që dihej më mirë se asgjë tjetër në kuvendin e djeshëm të PD-së ishte pikërisht rizgjedhja e Sali Berishës në krye të kësaj partie. Gjithashtu dihej mirë se lista e anëtarëve të Këshillit kombëtar, e forumeve të tjera drejtuese të partisë, do të ishte ajo e preferuara e Sali Berishës. Më të paditurit, apo të hutuarit ishin deputetët e rinj të grupit parlamentar të PD-së, kryesisht ata që vijnë nga krahu i majtë i politikës shqiptare. Ndonjëri prej tyre ishte në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar, e cila do të votohej pas pak orësh. Në hollin e Pallatit të Kongreseve ku dhe po zhvillohej Kuvendi i PD-së, deputetët e rinj ishin aq të hutuar se nuk arrinin të gjenin as njëri-tjetrin, dhe aq më pak, të mund të shoqëroheshin me ata të vjetrit, militantët, të cilët ishin mbledhur grupe- grupe, duke diskutuar me zjarr për listën e Këshillit Kombëtar.

Herë pas here, delegatët e rretheve drejtonin sytë nga ministrat, të cilët të kapardisur, qëndronin në hollin e pallatit të kongreseve në pritje të liderit.

Ndërkohë nënkryetarja e PD-së kishte hapur kongresin me fjalën e saj të “zjarrtë”, për historinë e PD-së, sukseset e saj në qeverisje, pastaj në opozitë, dhe tani sërish në qeveri.

Ministrat vazhdonin të qëndronin në holl pasi Sali Berisha ende nuk kishte mbërritur. Ishte menduar që të vinte në sallë në mënyrë spektakolare. Në holl vazhduan për rreth dy orë të qëndronin ministrat e kapardisur, delegatët e “krekosur” për rëndësinë e ditës së djeshme, (pikërisht dje ndjeheshin të rëndësishëm, se kryenin aktin e votimit). Delegatët drejtoheshin herë pas here të ministrat për të kërkuar ndonjë favor, por mendja, sytë gjithnjë drejtoheshin nga dera e Pallatit të Kongreseve për të parë mbërritjen e liderit. Ndërkohë sheshi Nënë Tereza ishte bllokuar nga makinat e “kongresmenëve”, shumica luksoze. Një tregues i rëndësishëm i klasës së re drejtuese.

Të rinjtë vazhdonin të endeshin nëpër hollin e Pallatit të Kongreseve, pasi tashmë edhe vendet ishin zënë në sallë brenda ku po fliste Jozefina. Aty rreth orës, 11, Jozefina Topalli e Ritvan Bode, dolën nga salla dhe qëndruan pak minuta në holl. Pak minuta më pas, rreth orës 11.10, ata u drejtuan plot buzëqeshje drejt derës së Pallatit të Kongreseve. Kishte mbërritur Sali Berisha, i cili turravrap u sul drejt hollit ku e prisnin të gjitha kategoritë: Ministrat e krekosur, që tani kishin marrë pamje tjetër (në fakt më kokëulur), militantët e ngazëllyer që po prisnin liderin, dhe të rinjtë. Në këtë moment këta të fundit u “shastisën” fare. Ata ishin aty për të dëshmuar devotshmërinë për “respektin” ndaj liderit, duhet të dëshmonin se ishin aty plot entuziazëm për të pritur mbërritjen spektakolare të liderit. Por nuk mundën të duken fare asgjëkundi afër rrugës nga kaloi ai. Madje mbeten edhe jashtë sallës së Kuvendit, ku Berisha nisi të flasë për të gjitha, historinë e PD-së, qysh nga protestat e studentëve, themelimi i PD-së deri tek qeveria e integrimit me Ilir Metën e rruga Durrës-Kukës Morinë. Duke theksuar gjithmonë të njejtën frazë. “Mua më thonë Sali Berisha”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›