E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjithë fajin e ka Ditmiri!Nga Genci KojdheliE kam marrë shumë inat këtë deputetin e ri të PS, Ditmir Bushatin. Pavarësisht se e njoh personalisht! Por ky nuk është justifikim mjaftueshëm i mirë për të më bërë të harroj dëmin e madh që Ditmiri po më s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gjithë fajin e ka Ditmiri!Nga Genci Kojdheli

E kam marrë shumë inat këtë deputetin e ri të PS, Ditmir Bushatin. Pavarësisht se e njoh personalisht! Por ky nuk është justifikim mjaftueshëm i mirë për të më bërë të harroj dëmin e madh që Ditmiri po më shkakton mua dhe gjithë shqiptarëve. Me sa po informohem këto ditë, sidomos prej shtypit apo burimeve të tjera mediatike pranë qeverisë, Ditmiri (dhe pak a shumë e gjithë opozita shqiptare) e paska fajin për faktin që Evropa nuk po na i liberalizon vizat. Epo që kishte qenë kaq i fortë e me influencë, këtë nuk e dija!

Domosdoshmërisht, më duhet të prezumoj që është mungesa e influencës së Ditmirit që i dha mundësi Maqedonisë, Malit të Zi, dhe Serbisë që të marrin lëvizjen e lirë prej janarit 2010, pavarësisht se zyrtarët e Brukselit e justifikojnë këtë gjë duke thënë se këto vende kanë ‘përmbushur standardet’, ndërsa Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina do duhet të presin akoma, sa kohë që shumë prej standardeve, shumica teknike e disa politike, nuk janë arritur.

Nuk e di se si ia ka dalë mbanë Ditmiri t’i mbushë mendjen ministres suedeze për Çështjet e BE, Cecilia Malmstrom, vendi i së cilës mban Presidencën e Bashkimit Evropian për momentin, që ajo të deklaronte në shtator të këtij viti se “Shqipëria dhe Bosnja janë akoma prapa në përmbushjen e standardeve të nevojshme për të garantuar heqjen e regjimit të vizave”.

Pale sa presion duhet t’i ketë bërë edhe Lars Wahlund, një tjetër diplomati suedez, kur deklaronte zyrtarisht se “Shqipëria dhe Bosnja kishin të njëjtat standarde si Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, por ekspertët e Komisionit Evropian mendojnë se këto standarde nuk janë përmbushur. Mungesa e reformave nga politikanët e këtyre vendeve nuk tregon se Evropa dëshiron t’i izolojë ata, ndërsa liberalizimi i vizave nuk mund të jepet si dhuratë.”

I fortë shumë paska qenë! S’di se si ia ka dalë mbanë Ditmiri (dhe bashkë me të gjithë opozita) t’u bënte lavazh truri tërë burokratëve në Bruksel, të cilët mendojnë se Shqipëria ka një vonesë të dukshme në procesin e pajisjes së popullatës me pasaporta biometrike, progres inekzistent në kontrollin e kufirit dhe paaftësi në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por Ditmiri (e si pasojë opozita) e mbushi kupën, kur bëri lobing te Pierre Mirel, drejtor për Shqipërinë e rajonin në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, duke kërkuar që shqiptarëve të mos u hiqeshin vizat. Të paktën kështu na tha kryeministri, kur doli në “Opinion” te Fevziu! Mirëpo, Komisioni Evropian doli e deklaroi se “z. Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë takim. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Evropian...” Kështu që, ose Ditmiri ka fuqi telepatike dhe influencon tek evropianët edhe pa qenë fare prezent, ose kryeministri e mazhoranca gënjejnë!!!

Bah, ç’dilemë!

Ndërsa më duhet të pranoj se qëndrimet e Brukselit vis-à-vis vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë qenë goxha inkoherente sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, duhet gjithashtu pranuar se fajin për dështimet e qeverisë shqiptare në disa aspekte tërësisht teknike nuk mund ta mbajë mbi shpatulla opozita e aq më pak një person i vetëm. Sipas qeverisë, edhe këtë herë opozita po përpiqet t’u mohojë shqiptarëve të drejtën për të lëvizur lirisht, ndonëse asnjë prej standardeve që duhet të përmbushë qeveria nuk lidhet me opozitën apo qëndrimet e saj.

Njësoj si në rastin e skandalit të Durrës-Kukës-Morinë, kur opozita me ‘synimet e saj antikombëtare’ nuk dëshironte që rruga të bëhej, pavarësisht se milionat e abuzimeve nuk mbuloheshin dot me shoshën e propagandës.

Edhe tani, propaganda mediatike e mazhorancës po përpiqet t’ia atribuojë fajin opozitës dhe qëndrimit të saj ‘refraktar e antikombëtar’ duke asociuar bojkotin e parlamentit me dështimin e saj për arritjen e standardeve, ndërsa duhet kujtuar se Shqipëria e Bosnja kanë ‘ngelur në klasë’ që në verën e këtij viti, shumë përpara fillimit të bojkotit opozitar.

Retorika e qeverisë dhe ultra-militantëve të saj mediatikë nuk është aspak për t’u habitur. Çifutët e lashtë (sipas Biblës, Levitiku 16) i përçonin gjithë mëkatet e tyre në një dhi fatkeqe, e cila braktisej në shkretëtirë e ngordhte atje, së bashku me mëkatet e fajet e njerëzve mëkatarë në mohim e mospranim të faktit që kishin mëkatuar e bërë faj. Dukshëm, qeveria po përpiqet të na bindë se fajin për paaftësinë e saj në menaxhimin e teknikaliteteve të shprehura shumë qartë nga Bashkimi Evropian, e ka opozita, ose dhia djallëzore që mbart mëkatet, pavarësisht se kush (e sa të paaftë), janë mëkatarët.

Dhe, ndërsa dita do të vijë që dhe ne shqiptarët të lëvizim pa viza, e sigurisht tërë lavdinë do kërkojë ta marrë mazhoranca (pavarësisht vonesës së pajustifikuar apo dështimeve në katër vitet e fundit), deri atëherë nuk duhet të çuditemi që qeveria të na gënjejë, të na mashtrojë, të na ofrojë fajtorë të pafajshëm e alibi të pabesueshme, pasi kjo mazhorancë kurrë nuk gabon, kurrë nuk dështon, por vetëm shënon e korr suksese të njëpasnjëshme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›