E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, kryeministri i të gjithë shqiptarëve

10-11-2011 / Gazeta 55

Qytetarët e Tetovës kanë shqiptuar dje ndjesinë mbarëkombëtare të lidershipit që kryeministri Berisha mishëron për botën shqiptare. Pas takimeve zyrtare me autoritetet e shtetit të Maqedonisë, me të cilat u përafrua ideja e krijimit të një unioni tregtar mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kryeministrit Berisha iu rezervua një pritje madhështore në qytetin e tretë në rajon, për nga numri i shqiptarëve


Në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoni, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në qytetin e Tetovës. Vizita e kryeministrit shqiptar, filloi me nje pritje madhështore dhe entuziaste e qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë, të cilët e vlerësuan Berishën, si kryeministrin e të gjithë shqiptarëve. Në vijim të vizitës, Berisha u prit fillimisht nga kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti dhe mijëra qytetarë, të cilët kishin dalë në rrugët kryesore të qytetit dhe përpara godinës së komunës, në pritje të Kryeministrit. Pas përshëndetjes me qytetarët e Tetovës, Berisha zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së këtij qyteti Sadi Bexheti dhe drejtues të tjerë të pushtetit lokal. Duke e konsideruar si historike këtë vizitë të parë të Kryeministrit Berisha në qytetin e Tetovës, Bexheti vlerësoi, gjithashtu, mbështetjen e tij ndaj shqiptarëve kudo që ndodhen. Berisha shprehu falënderimet e tij për mikpritjen e rezervuar, ndërsa theksoi se “për mua vizita në Tetovë është një ngjarje shumë e rëndësishme e jetës time dhe është një moment për t’u përulur me nderimin më të thellë para këtyre qytetarëve, të cilët me punën, përkushtimin, guximin, mençurinë dhe vizionin e tyre, shndërruan Tetovën në një qytet që u dha shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi e kudo në botë më shumë krenari dhe më shumë dinjitet”. Më tej, Kryeministri Berisha vlerësoi se qytetarët e Tetovës me përpjekjet e tyre kanë bërë jo vetëm çdo shqiptar më të lirë, por kanë bërë dhe Maqedoninë më të lirë e më të sigurt. “Zoti kryetar, lufta, përpjekjet dhe kontributi i qytetarëve të këtij qyteti janë krenari e veçantë për çdo shqiptar, kudo që ndodhet, në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, diasporë dhe në të katër anët. Unë vij sot në një qytet me një vizion evropian. Vij sot në një qytet, i cili me vlerat e tij qytetare ofron standardet më të mira të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës. Me luftën dhe përpjekjet e tij e bëri Maqedoninë më të lirë, më të sigurt dhe më stabël. Dhe jo vetëm Maqedoninë, por jugun e Ballkanit në tërësi. Tetova është sot qyteti i tretë i madh shqiptar, me dy universitete. Kjo është një arritje e madhe për qytetarët e Tetovës dhe mbarë kombin shqiptar. Unë po vij nga Shkupi ku pata një vizitë, ndër më të frytshmet, me Kryeministrin Gruevski, me kryetarin e Parlamentit, me Presidentin dhe me miqtë e mi, kryetarë të forcave politike shqiptare. Ne kemi rënë dakord që në marrëdhëniet midis dy vendeve tona të kapim sa më shpejtë një horizont të ri, të paprecedentë të tërë historinë tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për të vendosur një infrastrukturë, ndër më modernet, të komunikimit midis dy vendeve. Pakkush mund të përfitojë më shumë se ju, qytetaret dhe qytetarët e Tetovës, nga kjo infrastrukturë. Ju jeni punëtorë të shkëlqyer, ndër shqiptarët më punëtorët. Hapësirat e reja të tregut drejt Shkupit, drejt Tiranës, drejt Prishtinës, do të bëjnë të mundur prosperitetin më të shpejtë tuajin dhe të Luginës së Pollogut në tërësi, do të bëjnë të mundur që shumë nga bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë shkëlqyer në emigracion, me indinjatën e tyre, me punën dhe përkushtimin e tyre, të vijnë dhe të ndërtojmë të ardhmen më të shkëlqyer këtu në Tetovë”, u shpreh Berisha. Nga ana e tij, kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti falënderoi kryeministrin Berisha për vizitën, të cilën ai e quajti historike për qytetin dhe qytetarët e Tetovës. “Zoti Kryeministër, ju do të mbeteni në historinë e Republikës së Maqedonisë për këtë vizitë të rëndësishme. Ju dëshiroj punë të mbarë dhe të kaloni mirë në qytetin e Tetovës”, tha ai. Në vijim të qëndrimit në Tetovë kryeministri Berisha u ndal në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku u prit nga Rektori i këtij universiteti Agron Reka, drejtues  të tjerë të tij, si dhe pedagogë e studentë. Kryeministri Berisha falënderoi  z. Reka dhe stafin akademik të universitetit për pritjen e përzemërt e vëllazërore dhe shfrytëzoi rastin për të shprehur nderimin e tij më të thellë për të gjithë ata që themeluan në Tetovë, 16 vite më parë, Universitetin e Tetovës, duke e shndërruar këtë universitet në një tempull të vërtetë drite dhe lirie për shqiptarët në Tetovë dhe kudo në botë. Kryeministri theksoi se 15 vitet e fundit, ka ndjekur në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme veprimtarinë e këtij universiteti, ka ndjekur me admirim të madh pedagogët dhe studentët e tij, edhe kur mësonin në auditorët e tij, por edhe kur mbushën malet e Sharrit për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Kryeministri siguroi se universitetet shqiptare në Tiranë dhe kudo, do të bashkëpunojnë me Universitetin e Tetovës dhe do të bëjnë gjithçka  që ky universitet, së bashku me Universitetin e Evropës Juglindore, të çojnë më tej dhe të konsolidojnë vlerat e lirisë, të tolerancës, mirëkuptimit dhe vizionin evropian të shqiptarëve. Nga ana e tij, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës z. Reka e falënderoi Kryeministrin për këtë vizitë shumë të rëndësishme, duke u shprehur se prezenca e Kryeministrit shqiptar përmes kësaj vizite, është një nder i madh që i bëhet Universitetit. “Stafi akademik e studentët e Universitetit të Tetovës ndihen më krenarë se kurrë, sepse është hera e parë që në Universitetin tonë vjen për vizitë Kryeministri i shtetit amë, njeriu që më shumë se kushdo kontribuon për arsimin, shkencën dhe kulturën kombëtare, brenda dhe jashtë Shqipërisë”, tha ai. Në mbyllje të vizitës së tij njëditore në Maqedoni, kryeministri Berisha vizitoi Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Kryeministri Berisha u prit nga rektori Zamir Dika, nga drejtori i Institutit për Demokraci dhe Zhvillim, Veton Latifi, si dhe drejtues të tjerë të këtij universiteti. Në një ceremoni të veçantë, Kryeministrit Berisha iu dha Çmimi Tradicional për Lidership, nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim. Në emër të këtij Instituti, Veton Latifi i dorëzoi Kryeministrit Berisha çmimin me motivacionin “Për Lidership të suksesshëm në promovimin, zhvillimin dhe mbrojtjen e demokracisë në Shqipëri, për udhëheqjen e reformave demokratike dhe sukseset në integrimin euroatlantik të vendit, si dhe rolin e Tij në rajonin e Ballkanit”. Ky çmim i jepet personaliteteve të spikatura publike, të cilët vlerësohen të kenë shfaqur rezultate të jashtëzakonshme dhe përpjekje të theksuara në konsolidimin demokratik, procesin reformues dhe procesin e integrimeve. Së fundi, ky çmim iu dha Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën Lindore, ambasadorit Philip T. Reeker.


Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov


Shqipëria me programin e saj të investimeve në infrastrukturën publike shembull për rajonin


Gjatë qëndrimit në Maqedoni, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Presidentin George Ivanov. Në këtë takim, Presidenti Ivanov u shpreh se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në nivele shume të mira. Presidenti Ivanov theksoi se Shqipëria me programin e saj të investimeve në infrastrukturën publike duhet te shërbejë si një shembull për vende të tjera në rajon. Në këtë kontekst, Ivanov e cilësoi ndërtimin e infrastrukturës që lidh rajonin, në mënyrë të veçante Korridorin 8 dhe korridorin Adriatiko – Jonian, si dhe lidhjet hekurudhore mes vendeve te rajonit, si akse të zhvillimit të ri gjeopolitik, ekonomik e social në Ballkan dhe që i japin Ballkanit frymëmarrjen e nevojshme, në përputhje me zhvillimet dhe duke e shkëputur nga trashëgimia e të shkuarës. Ndërkaq, Berisha u takua dhe me Kryetarin e LSDM-së, Branko Crvenkovski. Nga ana e tij, Crvenkovski vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke theksuar se ekziston mundësia për forcimin e tyre të mëtejshëm. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe theksoi se këto marrëdhënie janë të destinuara që të jenë shumë të mira, pavarësisht krahut politik që qeveris të dy vendet. Gjithashtu, Berisha u prit në një takim edhe nga kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy parlamenteve shqiptar dhe atij maqedonas, si një faktor shumë i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe të miqësisë midis dy popujve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›