Mbyllet maskarada 5 ditore e Kongresit, Rama klonon Komitetin e ri Qendror të PS

Kryesocialisti Edi Rama njoftoi pak minuta më parë se ka përfunduar procesi i hajdutërisë së votave të delegatëve të Kongresit dhe se është arritur ndërtimi i listës së anëtarëve të rinj të Asamblesë Kombëtare. Rama pranoi me zotësi se në PS janë rikthyer një pjesë e larguarve me shkelma dhe të akuzuar për afera të rënda korruptive, ndërsa s’dihet ende se si do justifikohet për mos qasjen e liderit historik të PS, ish kryeministri Fatos Nano, ish kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi apo dhe ish Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani. Të tre këto figura, me kontribute të rëndësishme gjatë 20 viteve në PS. Kësisoj, maskarada e zgjedhjes së Asamblesë nuk është për Rilindjen e Vërtetë Shqiptare, por për kooptimin e falangave të krimit dhe korrupsionit, eksponentë me precedentë penal, duke ri-ngritur kështu formacionin e kleptokracisë, me mamuthin e korrupsionit, pagatori i protestave dhe varrmihësi i dosjeve të korrupsionit të Edi Ramës. Zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë i ngjan më tepër një procesi shpërblimi për atë që shpura e korrupsionit dhe ryshfetit ka bërë për kryesocialistin, deri në zhdukjen e dosjeve mal.
PD: Rilindja e Vërtetë e Partisë Socialiste me yjet e reja, Çaçi, Xibri e Sollaku
Sot më datë 10 nëntor Kryetari i PS Edi Rama, njoftoi anëtarët e Partisë së tij se përfundoi procesi i klonimit të Komitetit të ri Qendror të PS.
Sot Edi Rama shënoi një rekord të ri në historinë botërore të numërimit të votave dhe klonimit të anëtarëve të Komitetit Qendror të PS-së. Për numërimin e votave të 1500 delegatëve klonar të tij, zotit Rama iu deshën 5 ditë e 5 netë apo 120 orë.
Çdo njeri e ka të qartë se ky nuk ishte numërim, por thjesht klonim i udhëheqjes së re të PS-së, në radhët e se cilës shkëlqejnë si zifti i larë mamuthi i korrupsionit Çaçi, apo bananja e Partisë, arkëtari i protestave të Ramës që shpërndante para kamerave paratë për mitingashët, por që gjysmën e mbante, si taksen e Ramës për partinë dhe së fundmi një yll tjetër që nxin, Sollaku i korrupsionit që mbylli dosjet e Ramës dhe jo vetëm të tij, por të të gjithë nomenklaturës së kleptokracisë së PS. Kjo, të dashur e të nderuar qytetarë ishte klonimi, Rilindja e Vërtetë e Partisë Socialiste me yjet e reja, Çaçi, Xibri e Sollaku, në udhëheqjen e re të saj.