Qeveria ndryshon ligjin për regjistrimin, gjobat e reja për ata që s’ japin informacion
TIRANË Në mënyrë krejt të papritur, Këshilli i Ministrave i ka përcjellë me urgjencë Kuvendit një projektligj që lidhet me disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”. Po aq me urgjencë, Këshilli i Ministrave ka kërkuar që sot Kuvendi në seancën jashtë radhe parlamentare të miratojë një projektvendim për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji me procedurë të përshpejtuar. Kjo është pika e fundit, por më e rëndësishmja, që Kuvendi ka futur sot për diskutim. Përmbajtja e draftit të përgatitur nga qeveria do t’i paraprijë iniciativës për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.
Përmbajtja
Që në krye të draftit, qeveria ka zëvendësuar fjalën kyçe “regjistrim” me fjalën “census”. Sipas projektligjit të përgatitur, “census” nënkupton mbledhjen e informacionit me anë të pyetësorëve dhe përpunimin e të dhënave të tilla, në mënyrë që të sigurojë një numërim të plotë të të gjithë individëve, familjeve dhe banesave dhe të ndërtesave të shfrytëzuara për qëllime banimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimin e statistikave në lidhje me karakteristikat demografike ekonomike dhe sociale të popullsisë së Shqipërisë. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, në nenin 4 të projektligjit thuhet se të gjithë personat me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Shqipërisë, janë të detyruar që të japin informacion të përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë dhe të banesave të miratuara nga Komisioni Qendror i Regjistrimit apo ndryshe i Censusit. Deklarimi, sipas projektligjit, duhet të jetë në mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme.
Sanksionet
Përmes këtij projektligji, qeveria ka shtrënguar edhe sanksionet ndaj gjithë atyre që nuk japin informacion të plotë dhe të besueshëm, por edhe ndaj atyre që nuk respektojnë konfidencialitetin. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, ku qytetari dënohej me gjobë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë të reja, në draftin e ri të përgatitur nga qeveria, mosdhënia e informacionit në formë të plotë dhe/ose të saktë e të besueshëm do të dënohet me 100 mijë lekë të reja. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me ata që nuk do të respektojnë rregullat e konfidencialitetit. Masa e dënimit, nga 15 mijë lekë do të variojë deri në 50 mijë lekë. Një tjetër pikë e rëndësishme e draftit është se, ndryshe nga ligji i vitit 2000,
të dhënat e mbledhura nga censusi apo regjistrimi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale apo përditësimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ. Po sipas projektligjit, të gjitha të dhënat identifikuese dhe personale, të mbledhura nga censusi, do të mbahen nga INSTATI për një periudhë të nevojshme për përpunimin e tyre dhe do të ruhen sipas afateve kohore të përcaktuara nga ligji “Për arkivat”. INSTAT do të ketë gjithashtu të drejtën për shqyrtimin e çdo dokumenti, që vërteton kundërvajtjen administrative. Për vendosjen dhe ekzekutimin e gjobave do të zbatohen procedurat e ligjit “Për kundërvajtjet administrative”. Ankimi ndaj INSTAT-it për vendosjen e një gjobe do të paraqitet në Komisionin Qendror të Censusit, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së këtij vendimi. Më pas, mund të paraqitet ankim edhe në gjykatë brenda 10 ditëve nga data e shpalljes së vendimit nga Komisioni i Censusit