E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha lançon Bashën si kandidat për Tiranën

22/02/2011  Kryeministri mbledh grupin parlamentar të PD-së, ndan detyrat për zgjedhjet e ardhshme vendore

“Komiteti i politikave rajonale të evidentojë problematikën në çdo bashki dhe komunë”

Ndërsa gara elektorale për zgjedhjet e 8 majit pritet të nisë intensivisht, prezantimi i ministrit të Brendshëm Lulzim Basha si kandidati i mundshëm i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës po bëhet çdo ditë e më prezent. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së porositi deputetët për tiu përkushtuar fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme, duke mundësuar finalizimin brenda muajit shkurt të përzgjedhjes së kandidatëve. Po ashtu gjatë mbledhjes Berisha ka ngarkuar deputetët që në bashkëpunim me komitetin e politikave rajonale të evidentojnë problematikën e qytetarëve në çdo bashki dhe komunë. “Çdo orë dhe çdo ditë ju së bashku me strukturat e Partisë Demokratike në çdo rreth dhe çdo qark duhet ti përkushtoheni fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale. Ministri Basha po merret me degën e Partisë Demokratike së bashku me zotin Bumçi, por edhe ministra e deputet të tjerë në këtë qytet të braktisur prej 4 vjetësh, këtë qytet ku vetëm kupola e Partisë Socialiste, Fidelët, Koçot, Dulakët kishin marrë në qendër të qytetit 500 mijë metër katrorë tokë publike”, - tha Berisha në fjalën e tij. Në fakt, fjalën e tij kreu i qeverisë e nisi me një falënderim dhe mirënjohje për të gjithë ata qytetarë që iu bashkuan më 20 shkurt koncertit festiv me rastin e 20-vjetorit të përmbysjes së regjimit komunist, simbol i së cilit u bë rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Referuar madhështisë së koncertit të para dy ditëve, ai kërkoi që kjo festë të konsiderohet nga Partia Demokratike si fillimi “de facto” i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 8 majit. “Ta konsiderojmë këtë fillimin de facto të fushatës elektorale, pasi de jure ajo do të jetë më datën 22 mars. De facto kjo festë ishte njëkohësisht dhe fillimi më i bukur i një fushate elektorale të qytetëruar, i një fushate ndër më të bukurat që shqiptarët kanë njohur. Mendoj se te koncerti i djeshëm festiv ne kemi modelin e fushatës së ardhshme. Dhe atë e krijuan qytetarët në mënyrën më mahnitëse”, - u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i partisë më të madhe në pushtet tha se më 20 shkurt qytetarët e Tiranës shpëlanë blozën nga rrugët, gurët, hunjtë, ndërtesat e qytetit, për tua rikthyer siç e meritojnë atyre që më 21 janar sulmuan për 5 orë qeverinë legjitime shqiptare për ta përmbysur atë dhe për të marrë pushtetin me dhunë. Ndërsa më 8 maj ata do të shembin shtatoren e zezë të korrupsionit të ngritur në qendrën e këtij qyteti.

Bilanci parazgjedhor

“Ne shkojmë në këto zgjedhje me një bilanc të paprecedentë; shkojmë në këto zgjedhje me arritje shumë të mëdha; shkojmë në këto zgjedhje si një forcë politike që në mënyrë të prekshme ka bërë që të ndryshojë qartësisht pozitivisht jeta e mbarë komuniteteve të vendit; si të vetmit që kemi bërë që të rriten në mënyrën më të ndjeshme të ardhurat familjare për 820 mijë familje; si parti që kemi realizuar lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Sigurisht, flakët dhe bombat molotov të 21 janarit hodhën blozë në imazhin e vendit, por shumë shpejt do ta nxjerrim nga ai imazh i keq.”

Lufta ndaj korrupsionit

“Ne këtë javë votojmë në Parlament aktin e heqjes dorë dhe sanksionimit në Rregulloren e Parlamentit të kufizimit të imunitetit për sa i përket korrupsionit aktiv dhe pasiv. Kjo mazhorancë dhe Partia Demokratike ka realizuar gjatë këtyre viteve një luftë të vendosur ndaj korrupsionit, me rezultate të prekshme për çdo qytetar shqiptar. Këto rezultate janë konvertuar në rritjen më të madhe të rrogave në Evropë; dyfishimi i rrogave të arsimtarëve, të rrogave të mjekëve, të infermierëve dhe rritjen e të ardhurave buxhetore dy herë nga taksat dhe tatimet.”

Sulm prokurorisë

Për 70 % të lejeve të ndërtimit institucionet zyrtare kanë çuar dosje në prokurori me kohë, por korruptorët e shtetit kanë vendosur të mos njohin as ligj dhe as Maliq për mbrojtjen e kryetarit të Bashkisë. Sduhet të kemi iluzione për ata që i kanë mbyllur dhe futur turshi të gjitha dosjet e tij. Në këto kushte, ne ta zgjidhim në mënyrën më demokratike në datën 8 maj. Ndaj dhe do të bëjmë një punë intensive në këtë fushatë. Sepse ne i japim përgjigjen e merituar jo vetëm atij dhe korrupsionit, por edhe atyre korruptorëve të shtetit, që s prekin një faqe nga megaaferat e tij, që shkojnë qindra milionë euro.”

Vakanca në KZAZ, LSI përkrah vendimin e KQZ-së

Rama: Përgjigje ligjore për ata që sduan zgjedhje demokratike

Pas OSBE-së edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka përkrahur vendimin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve për shpalljen e vendeve vakante në KZAZ pas refuzimit të socialistëve për të propozuar anëtarët e saj. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, përmes një komunikimi me mediet e cilësoi vendimin e djeshëm të KQZ-së si përgjigje ligjore për gjithë veprimtarinë antiligjore dhe në kundërshtim edhe me rekomandimet e OSBE–ODIHR-it për të realizuar zgjedhje korrekte, zgjedhje të lira e të ndershme dhe të pakontestuara. Ndërsa bllokimin e KZAZ-ve si sjellje e papërgjegjshme e lidershipit të Partisë Socialiste. “LSI-ja e mbështet këtë vendim sepse është një vendim i bazuar në ligjin apo në kodin zgjedhor të miratuar nga PS-ja dhe PD-ja. Aq më tepër që është propozim i bërë nga vetë Partia Socialiste dhe nga ana tjetër çelja udhë e realizimit në përputhje me kodin zgjedhor të zgjedhjeve të 8 majit është edhe përgjigja më e mirë për cilindo që synon apo tenton të imponohet për të mos realizuar në kohë zgjedhjet në funksion të mbajtjes në mënyrë antikushtetuese të ombrellës së pushtetit korruptiv, ku ka fshehur kokën cilido kryetar bashkie”, - tha Rama. Sipas tij, realizimi i zgjedhjeve të 8 majit nuk është as çështje dëshire, as çështje trilli individual, apo çështje e qejfit të një kryetari bashkie apo tjetrit, por një detyrim kushtetues në zbatim të Kushtetutës dhe afateve kushtetuese të mandatit të të zgjedhurve lokalë. Në kuadër të nismave që LSI-ja ka ndërmarrë në mënyrë të vazhdueshme në respekt të së drejtës së qytetarëve për të votuar në liri të plotë në zgjedhje demokratike, Rama vuri në dijeni për letrën që u ka drejtuar zyrtarisht krerëve të grupeve parlamentare dhe Kryetares së Kuvendit për tu fokusuar në disa prej çështjeve më të rëndësishme të reformës zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›