E Diel, 1 Nëntor 2026

Bankat fitimprurëse, në dhjetor korrën 6,71 miliardë lekë fitim

22/02/2011  Depozitat u rritën me 15 për qind nga fillimi i vitit

Sistemi bankar shqiptar ka korrur një fitim prej 6.71 miliardë lekësh në fund të vitit 2010, që është afërsisht dy herë më shumë se një vit më parë në dhjetor 2009, kur fitimi ishte vetëm 3,54 miliardë lekë. Të dhënat e paaudituara të publikuara nga Shoqata e Bankave konfirmuan se viti 2010 u mbyll një rezultat financiar të përmirësuar për këtë sektor. Për muajin dhjetor është vënë re një rënie e normës së kredive me probleme, pas rritjes nga muaji në muaj të këtij treguesi. Statistikat e Shoqatës së Bankave treguan se përqindja e kredive me probleme ra në 14 për qind, nga 14.4 për qind që ishte në fund të muajit nëntor. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues për nëntorin ishte 14,6 për qind dhe kjo normë ka njohur ritmin më të lartë të rritjes gjatë vitit të kaluar. Sipas BSH-së parashikohet që krahu i këtij treguesi të ndryshojë gjatë vitit 2011. Portofoli i kredisë konfirmoi tendencë pozitive, pasi për dhjetorin totali i kredisë u rrit me 1.6 për qind ose mbi 7 miliardë lekë, duke arritur në 490,9 miliardë lekë. Krahasuar me fillimin e vitit, portofoli i kredisë u rrit me 8 për qind. Depozitat për dhjetorin në sistemin bankar u rritën me 1.4 për qind, ndërsa nga fillimi i vitit rritja ishte 15 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›