E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skadon afati për listat, ndërhyn KQZ-ja

22/02/2011  Zgjedhjet e 8 majit, KQZ shpall vakante vendet për opozitën në 66 KZAZ

Në konkurrim kandidatët që do të vijnë nga publiku dhe shoqëria civile

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve reagon pas indiferentizmit të opozitës në lidhje me dorëzimin e propozimeve për postet e anëtarëve dhe sekretarit në 66 KZAZ, vendet e të cilëve janë vakante. Kështu, në mbledhjen e djeshme KQZ-ja vendosi shpalljen vakante të vendeve për komisionarët e KZAZ-ve, që sipas ligjit u takojnë dy partive të opozitës: PS-së dhe PBDNJ-së. Sërish në mungesë të tre anëtarëve të opozitës, KQZ-ja miratoi me katër vota “pro” 66 projektvendimet për plotësimin e vendeve vakante në KZAZ-të për zgjedhjet vendore të 8 majit, pas mosparaqitjes së emrave për anëtarë të këtyre komisioneve nga ana e dy partive të majta. Dita e djeshme ishte afati i fundit i vendosur në mbledhjen e së enjtes së kaluar nga KQZ-ja për PS-në dhe PBDNJ-në për sjelljen e listave të kandidatëve të tyre për komisionet zonale të administrimit zgjedhor, një detyrim ligjor që këto dy forca politike refuzuan ta respektojnë. Tashmë pritet të fillojë procedura e zëvendësimit me komisionerë të tjerë në vendet që u takonin dy partive parlamentare të opozitës në administratën e KZAZ-ve. “Duke qenë në kushtet e emergjencës dhe pavarësisht kësaj, kaluam dhe një shtyrje tjetër, kaloi dhe ky afat i dytë dhe nuk kemi pasur propozimet e duhura për të ngritur KZAZ-të. Në këto kushte, besoj se nuk mund të vëmë më në rrezik procesin, na duhet patjetër të përgatitemi për tu ofruar zgjedhësve shqiptarë zgjedhjet”, - u shpreh kreu i KQZ-së Arben Ristani. Ndërkohë ai shtoi se duhej të kishte filluar procesi i trajnimit dhe se shumë shpejt do të bëhet i ditur lajmi që ka të bëjë me afatin e fundit për regjistrimin e partive.

Propozimi

“Jemi në kushtet kur kemi një paralizim të KZAZ-ve. Për këtë situatë, për analogji i referohemi nenit 29, pika 8, i cili parashikon që në vendet vakante KQZ-ja detyrohet të emërojë anëtarët dhe sekretarët për të plotësuar kuorumin e nevojshëm në KZAZ-të. Ne propozojmë që për çdo KZAZ vendet e të cilave kanë mbetur vakante, pra në ato që janë me numrin tek, të shpallet i lirë vendi i sekretarit, ndërsa në gjysmën tjetër të shpallet i lirë vendi i anëtarit. Dhe në konkurrim të shqyrtojmë kandidatët që do të vijnë nga publiku. Pra, ne mendojmë të përdorim kompetencat e KQZ-së për të plotësuar vendet vakante në KZAZ. Dhe këtë kompetencë, të cilën Kodi e jep qartë për ditën e votimit, ta shtrijmë dhe në këtë moment që na duhet të plotësojmë KZAZ-të, duke pasur gjithmonë parasysh se prevalon me të drejtën kushtetuese të shtetasve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”, - propozuan ekspertët e administratës zgjedhore në mbledhjen e djeshme të KQZ-së.

Mbledhja e djeshme

Anëtari i djathtë i KQZ-së Njazi Kosovrasti kërkoi që të shpallen vendet vakante në KZAZ-të, meqë partitë nuk respektuan vendet vakante. “Të shqyrtohet vakanca e krijuar”, - theksoi Kosovrasti. Duke iu referuar veprimeve të partive opozitare në Parlament, ai theksoi se PS-ja dhe PBDNJ-ja po cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. “Në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut flitet për të drejtën që kanë qytetarët për tu zgjedhur dhe për të zgjedhur. Pra, mosardhja e komisionerëve nga këto parti na vë para precedentit se të drejtat themelore të njeriut po dhunohen, sepse nuk krijojnë kushtet që qytetarët të ushtrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, të cilat këto dy parti po ua mohojnë zgjedhësve shqiptarë”, - u shpreh Kosovrasti. Të njëjtën qëndrim mbajti edhe anëtari i KQZ-së Klement Zguri, i cili gjithashtu kërkoi plotësimin e vendeve vakante në këtë komision, duke iu referuar mungesës së palogjikshme të tre anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste.

Njazi Kosovrasti

“Po ti shikojmë me kujdes, ka një shpërdorim midis së drejtës dhe detyrës së partive politike për të zgjedhur komisionet në të gjitha nivelet dhe në mënyrë të veçantë të komisioneve zonale. Por kjo e drejtë nuk mund të shpërdorohet, siç po bëjnë PS-ja dhe PBDNJ-ja. Pra, nuk mund të lejohet më që të sabotohet procesi”, - tha përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti.

Vera Shtjefni

“Shtyrja që u bë radhën e kaluar kishte të bënte me dëshirën dhe vullnetin e të gjithëve ne për tu dhënë një mundësi tjetër këtyre subjekteve që të përmbushin detyrimin e tyre. Në këto kushte, plotësimi i vendeve vakante nga KQZ-ja është detyrim ligjor, duke iu referuar papërgjegjshmërisë politike të dy subjekteve opozitare”, - tha dje anëtarja e KQZ-së Vera Shtjefni.

Klement Zguri

“Kjo situatë absurde e bën administratën zgjedhore të strapacohet për të përmbushur detyrimet ligjore për të përgatitur punimet e procesit zgjedhor të ardhshëm. Ambicia apo egoizmi i një personi politik, dhe këtu kam parasysh kolegët që nuk janë në sallë, janë fare të parëndësishme përballë ligjit në të drejtën e shtetasve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur”, - tha Zguri.

Hysen Osmanaj

“Kjo është një lojë politike, të cilën PS-ja ka vite që e bën. Bën politikë me komisionerët e niveleve të dyta dhe të treta, duke iu referuar këtu edhe zgjedhjeve të fundit, me largimin e disa komisionerëve të PS-së nga komisionet, por akoma më keq është fakti i braktisjes nga anëtarët e KQZ-së që përfaqësojnë PS-në”, - u shpreh anëtari i KQZ-së Hysen Osmanaj.

OSBE mirëpret vendimin e KQZ-së

Volfart: Partitë nuk zbatuan atë çka kishin miratuar

Menjëherë pas vendimit të marrë nga KQZ-ja për shpalljen e vendeve vakante në 66 KZAZ-të e vendit ka reaguar ambasadori Eugen Volfart. Shefi i zyrës së OSBE-së në Shqipëri e mirëpriti vendimin e marrë dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shpalljen e vendeve vakante në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor në përpjekje për të çuar përpara përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit. “Shpallja publike e vendeve vakante në KZAZ, që duhen plotësuar së shpejti, është një hap i rëndësishëm dhe vendimtar në garantimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor ndaj qytetarëve”, - u shpreh ambasadori Volfart. Më tej në deklaratën e tij shefi i OSBE-së në Tiranë theksoi se “unë e mirëpres këtë hap dhe dua të vë në dukje se ai u bë i nevojshëm vetëm pasi disa parti refuzuan të marrin pjesë në procedurat demokratike, në bazë të rregullave që i kishin bashkëhartuar dhe miratuar vetë”. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhej të kishin paraqitur propozimet për komisionerë brenda 24 janarit dhe KZAZ-të duhej të ishin ngritur brenda datës 7 shkurt 2011. Në përfundim të fjalës së tij ambasadori Volfart përsëriti gatishmërinë e OSBE-së për të mbështetur institucionet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›