Berisha marshon drejt Kryeministrisë me deputetët e PD, policia blindon zonën me mbi 1500 forca sigurie

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë nga selia blu i shoqëruar nga një grup deputetësh të PD-së dhe militantë, duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë.
Krah tij janë parë edhe Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj.
Ashtu si në protestën e një jave më parë, policia e kryeqytetit ka njoftuar se nuk merr përsipër garantimin e protestës, por ka marrë masa të rrepta për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Para Kryeministrisë nuk do të ketë podium dhe as fjalime, ndërsa protestuesit janë mbledhur fillimisht në selinë e PD-së për t’u bashkuar më pas në marshim.
Mbi 1,500 forca policore janë vendosur në gatishmëri përpara godinës së Kryeministrisë.
Në fokus të policisë është mbrojtja e institucioneve, ndërsa janë marrë masa antitubim me autobote uji, zjarrfikëse dhe ambulanca. Në urën pranë Drejtorisë së Policisë është ndaluar qarkullimi i automjeteve.
Policia ka rrethuar edhe selinë e Partisë Socialiste.
Kryeministria është blinduar me barriera metalike, ndërsa forcat e rendit janë shpërndarë në godinat e rëndësisë së veçantë dhe rrugët kryesore të kryeqytetit, për të parandaluar çdo skenar të mundshëm përshkallëzimi.
/rtsh.al/