E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit e opozitës përplasen te Drejtoria e Policisë së Shtetit – Përdoret gaz lotsjellës dhe ujë me presion

Protesta e opozitës ka marrë një kthesë të re, teksa protestuesit janë zhvendosur nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në zonën e Brrylit, Tiranë.

Simpatizantët e PD-së kanë tentuar të çajnë kordonin e efektivëve të policisë, të cilët kishin ngritur një barrikadë përpara godinës.

Për të ndaluar marshimin, policia ka përdorur ujë dhe gaz lotsjellës, duke zhvendosur protestuesit disa metra pas.

Në rrugën kryesore pranë Drejtorisë së Policisë është vendosur një kordon tjetër, ndërsa pas tij ndodhet një autobot me ujë, gati për shpërndarjen e turmës.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se marshimi drejt Policisë së Shtetit ka si qëllim “të shënjojë mercenarët e Ramës”.

Ai akuzoi kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si “shërbëtor të Ramës”.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë hedhur molotovë, duke tensionuar situatën. Deputetët e PD-së janë vendosur përpara Berishës, duke u bërë mburojë për të kaluar kordonin e policisë.

Kujtojmë se policia ka mobilizuar mbi 1500 efektivë, ndërsa zona është e blinduar me gardhe metalike dhe mjete speciale për shpërndarjen e turmës. Protesta është ende në zhvillim dhe pritet të vijojë me tensione të larta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›