Berisha mbledh sërish aleatët, pritet lista emërore
Në tentativë për të gjetur një President konsensual kryeministri Berisha ka mbledhur për të tretën herë gjatë ditës së sotme aleatët qeverisës, ku pritet të bëhet publike dhe lista emërore me kandidatët për këtë post.
Takimi i nisur rreth orës 21:00 në Kryesinë e Kuvendit, me praninë e kreut të LSI-së Ilir Meta, Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe ai i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi, pritet që brenda natës të finalizojë emra konkretë që do të shkojnë në raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit.
Më herët, pas mbarimit të takimit të dytë, Meta tha se në orët në vazhdim pritet të ketë një listë me emra, siç tha ai, përfaqësues, e cila do të komunikohet edhe me opozitën.
“Sikurse po e ndiqni përpjekjet nga ana e maxhorancës janë mjaft intensive, vullneti është pozitiv. Disa kritere kanë bërë publike. Besojmë se në orët në vijim do të ketë edhe një listë me emra”- tha Meta.
Meta tha se lista me emra do të jetë e menduar dhe e konsultuar, ndersa kandidatet mund te vijne nga politika, drejtesia dhe diplomacia.