Berisha, 'mbret' i Australisë

Besart Berisha sërish ishte protagonist kryesor i skuadrës Brisbane Roar. Sulmuesi kosovar, i cili po vazhdon të shkëlqejë në elitën e futbollit australian, shënoi dy gola në fitoren e Roarit përballë Melbourne Victory (3:2).
Përveç që është golashënuesi më i mirë në elitën e futbollit australian me 15 gola të realizuar, Berisha ka arritur edhe një rekord tjetër.
Ai kundër Melbourne Victorysë realizoi vetëm disa sekonda pas fillimit të takimit, gol i cili është i 11’ti si më i shpejti i "A-League", derisa i dyti më i shpejti në histori të klubit.
Pa dyshim se Berisha po kalon formën më të mirë të karrierës, derisa është edhe sulmuesi më i mirë shqiptar për momentin.
Ai ka gjetur veten në Australinë e largët, pasi sa ishte pjesë e skuadrave evropiane (Hamburger, AaB, Burnley, Rosenborg, Arminia Bielefeld), nuk arritur të lë gjurmë përveç te ekipi danez Horsens, ku kishte realizuar 11 gola gjatë një sezoni.
Pas paraqitjeve të mira, skuadra e Brisbane Roarit i ka vazhduar kontratën edhe për dy vjet Berishës, i cili tashmë është shndërruar në lojtar kryesor te kampioni aktual i Australisë.
Pas kësaj fitoreje, skuadra e sulmuesit prishtinas i ka tubuar 38 pikë, ndërsa mban vendin e dytë në "A-League", pesë më pak sesa lideri i tabelës, Central Coast Mariners FC, që ka një takim më pak të zhvilluar.
Edhe Çani vazhdon me gola
Edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Edgar Çani po kalon nëpër një formë të mirë, pas transferimit te skuadra Polonia Warsaw. Ai të shtunën ka realizuar golin e 9-të në fanellën e klubit polak në fitoren 2:0 kundër LSK Lodzit.