E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha mbron dhëndrin e del kundër BB: Ne e mbrojtëm Jalën nga mafiaNga TemaKryeministri, Sali Berisha, foli dje në jug për ndërtimet në Jalë, të cilat u shkatërruan nga dhëndri i tij. Para pak ditësh Banka Botërore kërkoi që qeveria të mos ndërhynt

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha mbron dhëndrin e del kundër BB: Ne e mbrojtëm Jalën nga mafiaNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, foli dje në jug për ndërtimet në Jalë, të cilat u shkatërruan nga dhëndri i tij. Para pak ditësh Banka Botërore kërkoi që qeveria të mos ndërhynte në procesin gjyqësor që po bëhet për dëmshpërblimin e banorëve dhe theksoi se qeveria duhej të ofronte informacionin e nevojshëm për gjykatën. Por Berisha tha dje se ai e ka mbrojtur Jalën nga mafia. Ky sinjal duket mjaft i rëndësishëm, për shkak se duke quajtur mafiozë ata që kishin ndërtuar dhe që u janë shkatërruar banesat, Berisha paralajmëron se nuk ka ndërmend të dëmshpërblejë banorët. Ky ishte dhe një sinjal i hapur për gjykatën që po shqyrton këtë çështje.

“Qeveria e mbrojti Jalën, që e kishte ngërthyer mafia me të gjitha tentakulat e saj dhe e reklamonte në Evropë si pasurinë e saj. Tani pasuria është e zotërve të vet, është e komunitetit dhe nuk do mundet askush, në mënyrë absolute, të pushtojë qoftë edhe një metër katror pa lejen e autoriteteve vendore”, - u shpreh Berisha.

Banka Botërore u trondit nga ky skandal dhe deklaroi se do të rishohë të gjithë projektin dhe se nuk do japë më pará për menaxhim tokash, vetëm për projekte konkrete, si ato për pastrimin apo sistemin e këtyre zonave. BB bëri të ditur se, nëse qeveria nuk do të dëmshpërblejë banorët, ajo do e bëjë këtë gjë vetë, edhe pse nuk ia lejon politika e saj.

Por dje Berisha ka inauguruar fillimin e punimeve edhe për tri rrugë të tjera, të cilat lidhin komunat me bregun e detit, përkatësisht rruga e Jalës, Dhërmiut dhe Palasës. Këto rrugë i kushtojnë buxhetit të shtetit mbi 10 milionë euro, fonde të cilat ky buxhet nuk i disponon. Përpos kësaj kryeministri Berisha ka disa ditë rresht që inauguron rrugë në zonën bregdetare në jug të Shqipërisë duke dhënë shifra stratosferike për kostot e tyre, të cilat buxheti i shtetit nuk i ka. Më konkretisht, kryeministri Sali Berisha ka inauguruar ditën e djeshme fillimin e punimeve për rrugën e plazhit Jalë, me gjatësi 5 kilometra dhe vlerë 210 milionë lekë.

Gjithashtu, kryeministri Berisha ka inauguruar edhe fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së plazhit në Dhërmi, me gjatësi rreth 15 kilometra dhe vlerë investimi 69 milionë lekë.

“Kapaciteti turistik i Bregut është 30 herë më i madh nga ai që shfrytëzohet sot. Vetëm Lukova ka 50 kilometra bregdet. Ndaj duhet të rrisim kapacitetet e banimit. Një nga mënyrat më të mira e të shpejta është që vetë banorët të zgjerojnë kapacitetet e shtëpive të tyre. Sikundër Bashkisë së Himarës, Lukovës, Ksamilit, Sarandës qeveria do t’u disbursojë shumë shpejt fondet për të bërë planet urbanistike të rregullimit të tyre, ku do të përcaktojnë zonat e ndërtimit. Por, natyrisht, kjo kërkon njëfarë kohe, ndërsa plani për të ndërtuar një dhomë apo një kat më shumë është më i shpejtë”, - u shpreh kryeministri.

Ndërkohë, në inaugurimin për fillimin e punimeve të rrugës në Palasë me një vlerë prej 10 milionë eurosh, Berisha u shpreh se premtimet për asfaltimin e bregdetit qeveria shqiptare i ka mbajtur.

“Ne kemi premtuar se do të asfaltojmë çdo rrugë që zbret drejt detit dhe ne këtë po bëjmë. Ky projekt sjell një përmirësim jashtëzakonisht të rëndësishëm të infrastrukturës për komunitetin lokal dhe për turistët e panumërt që vijnë për të kaluar pushimet në bregun e Jonit. Këto rrugë do të përfundojnë përpara fillimit të sezonit të ardhshëm turistik”, - u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›