E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbyll NASDAQ-in në Times Square

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë, kryeministri u prit nga zv/presidenti i NASDAQ, David Wicks, i cili bëri më pas prezantimin e Kryeministrit Berisha, si personaliteti botëror që sipas traditës së kësaj burse, do të bënte mbylljen e sesionit ditor të saj.

"Këtë pasdite jemi të nderuar që na bashkohet një lider dinamik dhe një mik i vjetër i NASDAQ OMX, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Kanë kaluar 20 vjet që nga rënia e komunizmit në Shqipëri dhe ky vend vazhdon të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e disa konflikteve në Europën Juglindore, duke promovuar zgjidhjen paqësore të konflikteve. Shqipëria është anëtare e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke shërbyer në Bosnje dhe paqeruajtësit shqiptarë janë pjesë e Forcës Ndërkombëtare për Asistencë në Siguri (ISAF), në Afganistan dhe e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Irak", u shpreh Wicks. 

Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha bëri edhe një prezantim të shkurtër të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe suksesit të modelit të saj ekonomik, që bëri që Shqipëria të mos njohë recesionin, pas krizës ekonomike globale. 

"Vendi im është i vogël, por modeli i tij ekonomik provoi se ishte një histori suksesi. Shqipëria ishte një prej të pakta vendeve që nuk e njohu recesionin në këtë krizë ekonomike të madhe. Vendi ka një ekonomi solide, ndërkohë që investimet e huaja direkte në botë nga viti 2007 deri në vitin 2010 ranë me 35 %, në Shqipëri u rritën me 315%; eksportet u rritën me 300 % dhe kjo falë modelit tonë ekonomik, të bazuar tërësisht në liritë", theksi kryeministri Berisha.

Ai nënvizoi se modeli ynë ekonomik bazohet në një qeveri të vogël, një barrë fiskale të ulët, investime të mëdha dhe në klimën më të mirë të mundshme ndaj biznesit.  Kryeministri Berisha shtypi më pas butonin e ziles që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen e ditës së bursës.  Ceremonia e mbylljes së sesionit ditor të bursës, e shndërruar tashmë në një traditë dhe një nga ceremonitë më të njohura në Wall Street, u shoqërua me shfaqjen përreth një orë, në ekranin e NASDAQ Tower të një video promovuese të Shqipërisë, me imazhe mbresëlënëse të bregdetit dhe natyrës shqiptare, e cila tërhoqi interesin e qindra qytetarëve në Time Square, që e ndoqën atë./Start/

                                                                                             2011-09-21 14:21
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›