E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbyll dyert për opozitën: Vendimi i ministrave të BE vulosi cilësinë e zgjedhjeveNga TemaKryeministri, Sali Berisha, doli mbrëmë para shqiptarëve për t’u thënë atyre se, përcjellja e kërkesës së Shqipërisë për aplikimin në BE drejt organit ek

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Berisha mbyll dyert për opozitën: Vendimi i ministrave të BE vulosi cilësinë e zgjedhjeveNga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, doli mbrëmë para shqiptarëve për t’u thënë atyre se, përcjellja e kërkesës së Shqipërisë për aplikimin në BE drejt organit ekzekutiv të këtij unioni, është një ngjarje historike.

Edhe pse bëhet fjalë për një procedurë teknike, ashtu siç e ka pranuar vetë kryeministri dhe zëvendësi i tij, Berisha nxitoi ta “privatizojë” këtë ngjarje duke e quajtur sukses të qeverisë.

“Reformat e thella dhe të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar me tolerancë zero dhe korrupsionit, zgjerimi dhe konsolidimi i lirive dhe të drejtave njerëzore të minoriteteve, zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 qershorit, që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR qëndrojnë në themele të këtij vendimi historik, por do të thosha edhe të këtij vendimi jetik për çdo familje, çdo qytetar shqiptar, për shoqërinë shqiptare në tërësi. Në të vërtetë, po këta faktorë bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në fillim të prillit të këtij viti dhe tani, në një hark kohor të shkurtër, vetëm pas 8 muajsh, vendimin tjetër historik, për të nisur konsultimin me Komisionin Evropian për statusin e vendit kandidat apo anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, - tha Berisha.

Por do jetë Komisioni Evropian ai që do të japë mendim, nëse Shqipëria do të jetë vend kandidat. Vetëm atëherë do të shihet nëse reformat kanë dhënë fryte.

Edhe pse ka qenë një proces krejt teknik ai i përcjelljes së aplikimit, vendit tonë i është shtyrë me muaj të tërë kjo kërkesë. Berisha e përdori politikisht atë përpara zgjedhjeve të qershorit.

Bashkëpunimi me opozitën

Ditën kur ministrat e Jashtëm të BE vendosën që të çojnë përpara këtë aplikim, Berisha duket se ka mbyllur dhe rrugët e bashkëpunimit me opozitën për të zgjidhur krizën, pasi e ka quajtur vendimin e Këshillit të Ministrave të BE si një vulë mbi procesin zgjedhor.

“Mendoj se për çdo qytetar të këtij vendi, për të gjithë ata, të cilët kanë integrimin në Evropë si interesin më madhor të tyre, të familjes dhe të kombit të tyre, vendimi i sotëm është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim, apeli më i fuqishëm për të çuar përpara këtë proces në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit. Ju siguroj zonjë se ky vendim nuk do të merrej më 16 nëntor të 2009, as të 2010, as të 2011, nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të përmbushnin standardet kryesore të OSBE. Pra, në një mënyrë përgjigjja më reale, më e vërtetë, është ky vendim. Duke theksuar këtë, absolutisht, kam qenë dhe mbetem i hapur për të bashkëpunuar me opozitën, siç kam bashkëpunuar me luajalitet të plotë në reforma ndër më të thellat dhe e vërteta është se me zotin Rama kam një arkiv shumë të pasur bashkëpunimi.

Ky është realiteti, mbetem sërish i hapur, por në mungesë të materies, në rrethana si në materie, këto procese, siç po faktojnë njëri pas tjetrit vendimet e Brukselit, nuk mund të ndalen. Ndaj edhe njëherë është koha të bëj thirrje që të bashkëpunojmë në interesin më të mirë. Nuk mundesh kurrë të heqësh gurin e themelit të demokracisë në emër të saj, kur ai nuk qëndron. Të pretendosh të shkelmosh mbi vendimet e gjykatave në rrugë politike, kthehem te këshilla e një personaliteti shumë të shquar në Evropë, i cili më tha se, kjo nuk mund të bëhet për asnjë çmim, për asnjë çmim. Unë mbetem i hapur për një spektër të gjerë bashkëpunimi me zotin Rama, për ato çështje që janë dinjitoze dhe jo që rrënojnë ndërtesën e ndërtuar me kaq sakrifica”, - tha Berisha.

Ndërsa duke folur për protestat, Berisha bëri ironi duke thënë që ajo që mund t’u garantonte ishte thjesht siguria e tyre.

“Për sa i përket protestave, detyra ime si qeveri është të bëj të gjitha përpjekjet për të garantuar zhvillimin sa më normal të protestave të cilitdo. Ju e shikoni, ky është një vend i lirë, një vend në të cilin liria e tubimit, liria e mendimit është e garantuar kudo dhe me çdo gjë. Ndaj dhe unë do të bëj detyrën time, të garantoj sigurinë e protestave të opozitës, ashtu siç kam porositur dhe siç është bërë deri sot, kanë protestuar në qetësinë më të madhe. Natyrisht, vendimi është apel, apel i madh që duhet një frymë tjetër. Mund të bësh opozitë ekstra-parlamentare, por ajo të privon nga mundësia e një kontributi thelbësor, real. Opozita ka kontribut të madh për zgjedhjet. Unë miratova pikë për pikë propozimet e saj, Kodin Zgjedhor. Unë nuk jam penduar. Ka pasur shumë bashkëpunëtorë, jo të afërt, të ndryshëm që më bënin letra, mesazhe për të mos pranuar sistemin rajonal proporcional, se pushteti është gjithmonë më i fortë në mazhoritar. Por unë nuk doja zgjedhje me ‘të fortët’, unë doja zgjedhje me të drejtë. Dhe unë pranova atë që përzgjodhi rivali im, zoti Rama . Prapë pranoj, le të marrë vërejtjet që ka bërë OSBE/ODIHR, të gjitha, t’i sjellë amendamentet në parlament dhe unë do t’ia votoj”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›