Berisha me IDB: Shqipëria, Kina e vogël e Europës, investoni
Shqipëria ka ruajtur me sukses një rritje ekonomike, në një kohë që Europa po përballet me një krizë borxhesh. Kështu është shprehur Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar me forumin ekonomik IDB.
“Në 4 vitet e fundit ka pasur rritje ekonomike më të lartë se vendet e rajonit si dhe janë rritur investimet e huaja dhe kjo falë modelit të implementuar, bazuar në taksat e ulëta. Qeveria jonë është e bindur se mënyra më e mirë për të përballuar krizën është mbështetja ndaj bizneseve”, u shpreh Berisha, raporton noa.al.
Kryeministri shprehi angazhimin e Qeverisë kundër taksave të larta, duke theksuar se do mbahet borxhi nën kontroll.
Krahas kësaj, edhe investimet e huaja kanë shënuar një rritje sipas Kryeministrit, ndërsa ka vlerësuar edhe turizmin si një element të rëndësishëm në ekonominë e vendit, ku tha se numri i vizitorëve dhe turistëve është rritur më shumë se 13 herë.
Në këtë kontekst Berisha vlerësoi se Shqipëria është Kina e vogël e Europës, pasi tregu i punës është i ngjashëm me të Kinës, me njerëz punëtorë dhe të edukuar, prandaj shtoi ai çdo sipërmarrës ka më shumë arsye për të investuar në këtë vend.