E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: Borxhi publik i lartë, duhen reforma

“Pas një rritjeje prej 2.2 për qind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore (EJL6) (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 për qind rritje për 2012-ën, thuhet në raport “Kushtet e dobëta ekonomike në Eurozonë kanë ushtruar një frenim në aktivitetin ekonomik dhe mbi të ardhurat qeveritare në vendet e EJL6”.

Megjithëse ulja e rritjes ekonomike në 1% është një rënie e konsiderueshme, raporti thekson se shifrat mund të keqësohen me tej, në varësi të faktit se si do të zgjidhet kriza ekonomike në Greqi.

Me këto nivele të larta të borxhit publik dhe presionet e financimit, BB këshillon të miratohen programe të rëndësishme konsolidimi fiskal. Sipas BB-së, politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër.

Sektori financiar në vendin tonë mbetet në një situatë relativisht të mirë, por rreziqet janë rritur, veçanërisht për shkak të rrezikut të përhapjes më gjerë të krizës greke. Raporti këshillon autoritetet të vazhdojnë t’u kërkojnë bankave që të rrisin rezervat e tyre për ta bërë sektorin më rezistent.

Në raport theksohet se duhet t’i kushtohet vëmendje situatës së vështirë sociale dhe tendencave përkatëse, pasi “vendet e EJL6 po përjetojnë nivelet më të larta të papunësisë dhe varfërisë në Evropë”.

Rritja, vijon raporti, ka qenë e dobët dhe kryesisht pa rritje punësimi gjatë rimëkëmbjes të viteve 2010-11. Arritjet në uljen e varfërisë në periudhën e para krizës po përmbysen, dhe klasa e mesme është bërë më e prekshme, sipas treguesve objektivë dhe subjektivë të mirëqenies.

“Me pritshmëri më të ulëta të rritjes ekonomike shumë në krahasim me atë të përpara krizës dhe presioneve të larta sociale, qeveritë e vendeve të EJL6 duhet të ndërmarrin një axhendë reformash strukturore më ambicioze dhe urgjente për rritje ekonomike dhe punësim”, nënvizohet.

Raporti vë në dukje se në periudhën afatgjatë, Shqipëria ka një mundësi historike për të shfrytëzuar “trenin e konvergjencës” evropiane-një reduktim në periudhën afatgjatë të hendekut të të ardhurave për frymë me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian. “Vendet e reja anëtare në BE e kanë përjetuar këtë ‘kapje’ të fortë. I njëjti ‘tren kovergjence’ i pret vendet e reja kandidate të BE-së në rajonin e EJL6, por kjo mund të ndodhë vetëm me politika dhe reformat e duhura” thekson raporti.

“Axhenda e reformës strukturore afatgjatë e EJL6 duhet të fokusohet në tërheqjen e flukseve më të mëdha tregtare dhe financiare dhe, në veçanti, në reformimin e tregjeve të punës dhe sektorëve publikë”, citohet në raport Jane Armitage, Drejtore në Bankën Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore.
/Start/

                                                                                             2012-06-05 14:18
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›