E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore: Rritje ekonomike 1.1 përqind sivjet. Kujdes borxhin

Share

Gjashtë vende në Evropën Juglindore po përballen me një ngadalësim të konsiderueshëm të rritjes ekonomike si pasojë e pasigurive në rritje në eurozonë, thuhet në raportin e zhvillimeve ekonomike të Evropës Juglindore, përgatitur nga Banka Botërore. Në raport thuhet se në Shqipëri po shënohet rënie ekonomike, kjo dëshmohet me rënien e eksporteve dhe me rritjen që po shënon borxhi publik.

Pas një rritjeje prej 2.2 përqind në vitin 2011, shenjat e para tregojnë që gjashtë vendet e Evropës Juglindore (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) po përjetojnë një ngadalësim të konsiderueshëm në 1.1 përqind rritje për 2012, thotë Zeljko Bogetiç, ekonomisti kryesor për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore.

Megjithëse ulja e rritjes ekonomike në 1% është një rënie e konsiderueshme, Bogetiç theksoi se shifrat mund të keqësohen me tej, në varësi të faktit se si do të zgjidhet kriza ekonomike në Greqi.

Është e rëndësishme të theksohet se ky parashikim bazë nënkupton një zgjidhje normale të krizës greke dhe mbajtjen nën kontroll të përhapjes më të gjerë të saj, theksoi Bogetiç, duke vënë në dukje se kjo nxjerr në pah rëndësinë e forcimit të rezervave fiskale dhe financiare në të gjitha vendet.

Me këto nivele të larta të borxhit publik dhe presionet e financimit, shumica e vendeve duhet të miratojnë programe të rëndësishme konsolidimi fiskal.

Kjo është sfida kryesore afatshkurtër e politikave për vendet në të cilat raporti borxh-PBB është rritur shpejt, thotë Bogetiç, duke theksuar se politikat ekonomike duhet të krijojnë një ekuilibër ndërmjet nevojës për të përmirësuar financat publike dhe për të pakësuar rreziqet makroekonomike nga njëra anë, dhe forcimit të mjedisit të politikave ekonomike për investime, rritje dhe vende pune, nga ana tjetër.

Rritja ka qenë e dobët dhe kryesisht pa rritje punësimi gjatë rimëkëmbjes të viteve 2010-11. Arritjet në uljen e varfërisë në periudhën e para krizës po përmbysen, dhe klasa e mesme është bërë më vulnerabël, sipas treguesve objektivë dhe subjektivë të mirëqenies, thuhet në raport.

Me pritshmëri më të ulëta të rritjes ekonomike shumë në krahasim me atë të përpara krizës dhe presioneve të larta sociale, qeveritë e vendeve të EJL6 duhet të adoptojnë një axhendë reformash strukturore më ambicioze dhe urgjente për rritje ekonomike dhe punësim, thekson raporti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›