Berisha me grup të ri parlamentar? Albana Vokshi: Pse jo?! Vendosim pas 14 Majit

Beteja ligjore për legjitimitetin e organeve të PD nuk do ta pengojë ish-kryeministrin Sali Berisha të bëjë lëvizje për të marrë më shumë hapësirë në Parlament.
Kur u pyet në emisionin “Pa Censurë” në RTSH, deputetja Albana Vokshi e la të hapur këtë si opsionin më të mundshëm.
“Përsa i takon grupit parlamentar është një vendim që do ta shohim pas 14 majit. Pse jo, mund edhe të merret një vendim i tillë. Mendimi im personal është që duhet ndarë njëherë e mirë shapi nga sheqeri, por deri tani nuk e kemi diskutuar, pasi jemi në fushatë elektorale”, u shpreh Vokshi.
Ajo u tregua e vendosur për të ndjekur rrugën ligjore në lidhje me legjitimitetin e organeve të PD, duke përjashtuar çdo mundësi që PD e Berishës të rikrijohej me një emër tjetër.
“Çështja për të patur një emër të ri partie nuk besoj se do të shtrohet ndonjëherë. Personalisht do të votoja kundër”, tha Vokshi në emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/