Berisha me qytetarët: Dera e hapur për grupin e Alibeajt! Po bashkëpunuan me Ramën pas krahëve, s’i toleroj

Në një bashkëbisedim me qytetarët, Sali Berisha ka folur për disa çështje duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre të bëra në rrjetet sociale. Teksa i ka bërë ftesë deputetëve të PD që nuk e kanë përkrahur ende Berishën dhe janë pjesë e grupit të Alibeajt, ai thotë se ata e kanë derën e hapur, por i paralajmëron se nëse bashkëpunojnë pas krahëve me Ramën do ketë zero tolerancë.
“Derisa do prisni deputetët që nuk ju janë bashkuar? Shqetësimi është i ligjshëm, por dallojmë në mendim. Jemi dakord që PD gjatë këtij viti me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë e mafies së Soros për të penguar trenin e saj, ajo eci fuqishëm dhe të garantoj se sot PD është më e fuqishme se ndonjëherë më parë. Deputetët e grupit të PD janë të ftuar të bashkohen me PD dhe të heqin dorë nga lojërat e turpshme të Edi Ramës ku i vendosi Lulzim Basha. U them sot këtu para jush se e gjithë Shqipëri i shikon kur ata pa asnjë mandat partie bëhen shtojcë e grupit parlamentar të Edi Ramës. Ata sot nëse deri dje nuk ishin të bindur për lidhjet që kishin me Lulzim Bashën se ishte peng i Ramës. Sot s’ka shqiptar që nuk e shikon që Basha ishte marr peng me dosjen ruse nga Edi Rama. mirëpres secilin prej tyre ti bashkohet grupit. Asnjë tolerancë s’do ketë në bashkëpunimin e tyre me Edi Ramën”, tha Berisha.
Ai foli edhe për legalizimin e shtëpive dhe taksën në Rrugën e Kombit. Berisha tha se kur PD të vijë në pushtet problemit me legalizimet e shtëpive do t’i vijë fundi pasi qytetarët do të marrin tapitë e shtëpive.
“Garantoj se do t’i jepet fund me një skemë të thjeshtë dhe ata që kanë marrë fletushka nuk do marrin më fletushka të përkohshme por tapitë përfundimtare të shtëpive të tyre”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha shtoi se do të heq taksës e Rrugës së Kombit.
“Një nga vendimet e para, do të hiqet taksa antikombëtare e rrugës së Kombit. Në tunelin e Kalimashit, Edi Rama vendosi traun e turpit, në muajin e parë dhe në vendimet e para të qeverisë së ardhshme do të hiqet taksa e rrugës së Kombit”, tha Berisha.
/rtsh.al/