Rama mban fjalën në Asamblenë e OKB: Raporti i Dick Marty, dështim! Pranoni kërkesën për një raport të ri

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku ka kërkuar që të pranohet kërkesa e Shqipërisë për një raport të ri, që kundërshton raportin e Dick Marty.
Rama e konsideroi raportin e Dick Marty “një dështim kombëtar”, teksa shtoi se u shndërrua në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara, edhe pse pretendimet e tij për trafikimin e organeve nga ushtria e Kosovës, nuk bazoheshin në asnjë fakt apo provë.
Teksa pranon se tashmë dëmi është bërë, duke marrë për bazë këtë raport, Rama tha se është e rëndësishme për të patur një raport vijues, në mënyrë që të rivendoset besueshmëria e Këshillit të Europës.
“Në 2011, u soll raporti i Dick Marty ku akuzohej ushtria e Kosovës për trafikimin e organeve, duhet të ishte paguar si tregimtar, por jo si raportues i Këshillit të Europës. Jo vetëm që shumë i besuan, po u shndërruan në faktorë kyç për ngritjen e dhomave të specializuara dhe u bë një nga rastet më të rënda të manifesti kundër pavarësisë së Kosovës. Asnjë grimë prove apo treguesi nuk u gjet askund në Kosovë dhe asnjë vend tjetër, e megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Hashim Thacin, ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht, imagjinojeni njëherë, presidenti juaj, që merret nga zyra çohet në një vend të tretë që mbahet i ndaluar për një vit të tërë pa asnjë akuzë zyrtare, as edhe një fjalë e vetme e aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e Këshillit të Europës, për krimin e pretenduar të trafikimit, një fantazi e tërë, dështim monumental në nivel ndërkombëtar, njollosje e një vendi. Ne mendojmë që Asambleja do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë dhe të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë e një organizatë kaq të rëndësishme”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare i ka bërë thirrje edhe njëherë vedneve të Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës rajonale “Open Ballkan”, duke ftuar edhe Greqinë e Turqinë.
“Do them disa fjalë për Ballkanin, për të ardhmen. Kthejeni nga të doni këtë rajon dhe do të gjeni benzinë për ndezjen e ndasive. Por ne e kemi kuptuar që mënyra për të ecur përpara është t’ia dalim sëbashku. Një sipërmarrje të përbashkët si pjesë e një kuadri të përbashkët. Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë dhe Serbinë për Open Balkan. Një platformë për Ballkanin, për Malin e Zi, Kosovë, Bosnjën, Turqinë por edhe për Greqinë. Të lëmë pas të shkuarën dhe të gjejmë arsye të mira për të zgjedhur mosmarrëveshje” tha Rama.
Rama u ndal edhe te sulmet kibernetike të Iranit, me të cilat u përball shqipëria, ku i kërkoi Asamblesë së OKB që të kthejë vëmendjen edhe te siguria kibernetike.
“Bota sot është e pandarë me teknologjinë. Shqipëria pësoi një sulm me qellim vjedhjen e të dhënave dhe paralizim të sistemeve në korrik. Një hetim i kryer me ekspertizën më të mirë ka konfirmuar se sulmi ishte një agresion i orkestruar nga Irani. Qeveria shqiptare nuk pati zgjedhje por ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne i bëjmë thirrje OKB-së të përqendrohet më seriozisht për sigurinë kibernetike për të ndihmuar në parandalim”, u shpreh kryeministri.
Për luftën në Ukrainë, Rama theksoi se është një sulm kundër të drejtës ndërkombëtare, duke kërkuar solidarizim me Ukrainën.
“Kemi qenë dëshmitar të solidariteti e një domosdoshmërie e gjithë kohshme të nevojës për të punuar së bashku, bota ka njohur përparim, por rrugëtimi ynë ka qenë me pengesa, kemi qenë dëshmitar i kthimeve pas dhe progresit, kjo ka ndodhur për shkak të katastrofave të shkaktuara nga njeriu, për shkak të politikave të ngushta, nga nacionalizmi, kjo është arsyeja pse ne bëjmë kontrollin e shëndetit të botës. Nëse të angazhohesh ndaj paqes dhe sigurisë, të ruash të drejtën ndërkombëtare, për klimën, nuk nënkupton të përsërisim njëri tjetrin. Këtë vit shpresat dhe besimet tona janë copëtua, agresioni mizor i Rusisë. Lufta nuk është vetëm kundër Ukrainës, por një sulm kundër të drejtës ndërkombëtare”, tha Rama.
/rtsh.al/