Berisha me shpresë te Kushtetuesja, Gjykata shtyn shqyrtimin e kërkesës së liderit të opozitës

Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë për të enjten shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha.
Ai kërkon nga 8 gjyqtarët rrëzimin e masës së parë të vendosur ndaj tij, “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Sipas liderit të opozitës masa është e paligjshme, pasi SPAK duhet të kërkonte autorizim nga Parlamenti sepse Kushtetuta parashikon që për çdo kufizim të lirisë së levizjës për deputetin, duhet leje nga Kuvendi.
Përgjatë një viti Berisha ka goditur masën e sigurisë të vendosur ndaj tij në të gjitha shkallët, por gjyqtarët i kanë dhënë të drejtë SPAK-ut.
Një vit më parë Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të udhëtuar jashtë vendit.
Berisha refuzoi ta zbatojë atë dhe për pasojë, në 30 dhjetor gjykata ashpërsoi masën duke e vendosur kryetarin e PD në “arrest shtëpie”.
6 muaj para zgjedhjeve parlamentare kushtetuesja është një ndër të paktat mundësi që Sali Berisha të lirohet./vizionplus.tv