Berisha, mesazh Ramës: Ultimatumin tënd do ta kthej në festë popullore

Krujë, 24 Nëntor NOA Update Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot socialistët dhe pjesëtarë të tjerë të opozitës me në krye Edi Ramën se ultimatumi do të ketë si përgjigje 8 dhjetorin kur premtoi se do të ketë një festë të madhe.
Ju ftoj të festojmë së bashku me 8 dhjetor, sepse ne meritojmë të festojmë sepse kemi bërë një rrugë të gjatë, të lodhshme, të mundimshme e të vështirë, por t렠suksesshme, dinjitoze, të ndershme, optimiste, - tha Berisha.
Duke bërë një paralele të qartë me thirrjet e Ramës në rrethe që të bashkohen me tubuesit në Tiranë, Berisha bëri ofertën e kundërt për banorët e Kurbinit:
Më datën 8 dhjetor, qytetarët e Gurrëzit, Kurbinit, Fushë-Milotit, Lezhës dhe të mbarë Shqipërisë do të festojnë në Tiranë, ditën e idealit të tyre europian, ditën e krenarisë së tyre të madhe, ditën që studentët liberatorë, të mbështetur nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë, u përballën nëpër rrugët e Tiranës, me diktaturën më të egër të planetit dhe e gjunjëzuan atë.
Kurse argumentoi se më 8 dhjetor, ne festojmë krenarë, sepse festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s; ne festojmë krenarë si qytetarë të një vendi që u vendos përfundimisht për tu pranuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian; ne festojmë si qytetarë të një vendi që brenda disa muajve, vitin e ardhshëm do të lëvizim të lirë pa viza në tërë kontinentin. Këto i kemi realizuar bashkërisht, i kemi realizuar me mund dhe sakrifica dhe duhet të jemi krenarë për realizimet tona.
Deklaratat e kryeministrit u bënë pasditen e sotme kur përuroi përfundimin e rikonstruksionit e rrugës Fushë Milot-Gurrëz, në rrethin e Kurbinit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 100 milionë lekë.
Berisha theksoi se vota juaj e 28 qershorit nuk pranohet, nuk njihet nga një aleancë punisto-mafioze, nga një grup miliarderësh mafiozë, të cilët menduan se, duke mobilizuar dhjetëra e dhjetëra milion euro në zgjedhje, do të mund të blinin pushtetin tuaj. Por atë nuk e realizuan dot dhe tani na kërkojnë të heqim gurin e themelit të kësaj ndërtese, të anulojmë me politikë vendimin e gjykatave apo ta shqyrtojmë atë.
Në përfundim, Berisha lëshoi mesazhin e qartë: Unë jam këtu për tju siguruar juve se ultimatumeve të tyre, ne do tu përgjigjemi me rrugë të reja; ultimatumeve të tyre, ne do tu përgjigjemi me shkolla të reja për këta fëmijë; ultimatumeve të tyre, ne do tu përgjigjemi me heqjen e vizave për secilin prej jush dhe lëvizjen tuaj të lirë; ultimatumeve të tyre, ne do tu përgjigjemi me garancinë e protestës për ata dhe për çdo qytetar shqiptar. Ju garantoj ju se aleanca punisto-mafioze do të marrë përgjigjen më të merituar ligjore. Dhe një ditë ultimatumin e tyre do ta gjejnë si të dhjetat e aleancës së tyre.
Berisha në fjalën e tij siguroi se zgjedhjet e 28 qershorit janë zgjedhjet e historisë dhe shtoi:
Ato jo vetëm janë zgjedhjet më të lira, më të mira dhe të ndershme që ka pasur ndonjëherë vendi, por ato mandatuan në pushtet forcën integruese, lokomotivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Votën tuaj të 28 qershorit e ka vlerësuar lart mbarë bota e qytetëruar; e kanë vlerësuar lart të gjitha vendet anëtare të NATO-s, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian; e kanë vlerësuar lart Parlamenti Europian, Këshilli i Evropës, Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe ka gëzuar të gjithë miqtë e këtij vendi, kudo në botë, - theksoi shefi i qeverisë.
e.r/NOA