E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata zgjedhore, ja sa shpenzuan partitë politike

Zbardhen raportet e auditimit. PD-ja ka bërë fushatën më të shtrenjtë, duke shpenzuar plot 157 milionë lekë të reja


TIRANË- Shpenzimet që partitë politike kanë harxhuar për zgjedhjet e 28 qershorit arrijnë në një shifër marramendëse me shumë zero.


Bëhet fjalë për një shumë prej 366 milionë lekësh të reja ose 6 herë më shumë sesa shpërndau Buxheti i Shtetit për këtë fushatë, ku vetëm Partia Demokratike ka harxhuar gati gjysmën e saj ose e thënë me shifra 157 milionë.


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar dje në faqen e tij zyrtare një përmbledhje të dhënave, që japin raportet e auditimit të financimeve dhe shpenzimeve që kanë kryer partitë politike gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa ka bërë gati edhe projekt-vendimin për të marrë masa ndëshkuese me gjobë, për të gjitha ato subjekte që nuk kanë zbatuar ligjin zgjedhor për regjistrimin e fondeve.


Financimet


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se janë dorëzuar brenda afatit të përcaktuar 26 raporte për auditimin e 26 partive politike, ndërsa nuk është dorëzuar ende, raporti për auditimin e Partisë Aleanca Maqedonase për Integrim Europian. Gjithashtu, ky komision vëren se janë dorëzuar jashtë afatit, raportet e auditimit për subjektet PSD, PD, PDK, PADS dhe PKons.


Drejtoria e Financës, pas marrjes në dorëzim të kopjes origjinale të raporteve të auditimit të dorëzuar nga ekspertët kontabël, ka bërë një analizë të detajuar në lidhje me respektimin e kërkesave të parashikuara në Kodin Zgjedhor nga ana e Partive Politike gjatë fushatës zgjedhore.


Kështu, nga të dhënat që sërvir KQZ-ja rezulton se nga 32 subjekte të audituara dhe për të cilat ka ardhur raporti, 10 prej tyre kanë përfituar fonde nga dhurues të ndryshëm dhe i kanë regjistruar ato në regjistrin e posaçëm, ndërsa 18 subjekte politike nuk kanë përfituar donacione.


Nga forcat që kanë fituar donacione, vetëm 7 prej tyre kanë mundur të sigurojnë shuma mbi 100 mijë lekë nga një donator dhe konkretisht bëhet fjalë për PD-në, PS-në, LSI-në, G99-ën, PLL-në, PDMRe-në dhe PRL-në, e cila transfertën e lekëve e ka bërë me "cash" dhe jo nëpërmjet sistemit bankar, që parashikon kodi.


Nga 13 forcat që kanë fituar mbështetje financiare nga donatorë të ndryshëm, ashtu siç edhe pritej PD-ja renditet e para me plot 81.5 milionë lekë të reja të dhuruara nga subjekte private.


Një shifër kjo shumë herë më e lartë se sa ajo që ka fituar rivalja e saj në këto zgjedhje PS-ja e cila ka gjetur edhe mbështetjen më të pakët financiare nga donatorë të ndryshëm, pasi në regjistrat e saj rezultojnë vetëm 6.8 milionë lekë, po aq sa edhe LSI-ja.


Në total për 13 subjektet që kanë fituar mbështetje nga privatët shuma arrin në 114.430.239 lekëve. Përveç kësaj shume dihet që të gjitha ish-partitë parlamentare fituan edhe 65 milionë lekë nga buxheti i shtetit.


Shpenzimet


Ndërsa mbështetja totale me fonde publike dhe jopublike arrin në 179 milionë lekë të reja, KQZ-ja konstaton se shuma e shpenzuar nga partitë në fushatë është gati edhe një herë më e madhe.


Pra të gjitha partitë pjesëmarrëse kanë shpenzuar 366 milionë lekë ose 187 milionë lekë më shumë sesa ato kanë marrë nga financimet publike dhe jo publike, diferencë kjo që sipas relacionit të KQZ-së mësohet se është përballuar nga fondet që partitë politike marrin çdo vit nga Buxheti i Shtetit.


Nga të dhënat që paraqesin raportet vërehet se Partia Demokratike ka bërë edhe fushatën më të shtrenjtë duke shpenzuar në të plotë 157 milionë lekë të reja ose rreth 140 milionë më shumë sesa ka marrë nga fondi i shtetit për zgjedhjet.


Pas saj vjen PS-ja me 101 milionë lekë ose 85 milionë lekë më shumë sesa asaj i takon nga paratë publike që u shpërndanë për zgjedhjet. Duhet thënë se PS-ja është forca që ka shpenzuar më shumë nga lekët e saj për këtë fushatë, pasi ka vënë plot 80 milionë lekë nga rezervat e saj.


Forca e tretë që ka bërë fushatën më të pasur ka qenë Lëvizja Socialiste për Integrim me 22.8 milionë lekë, Partia e të Drejtave të Mohuara e Re me 15 milionë, Partia Republikane me 13.1 milionë, Partia Agrare Ambientaliste me 11.2 milionë dhe Partia Demokracia Sociale me 10.4 milionë lekë.


Edhe pse shifrat sa më sipër janë bërë publike në sitin zyrtar të KQZ-së, raportet e plota për secilën parti, përfshi këtu edhe emrat konkret të donatorëve do të bëhen publike vetëm në datën 2 Dhjetor.


Partitë që kanë fituar fonde nga shteti


Partia Demokratike 16.573.342 leke
Partia Socialiste e Shqipërisë 13.693.204 leke
Partia Republikane e Shqipërisë 10.695.140 leke
Partia Socialdemokrate 6.821.852 leke
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 4.590.660 leke
Partia Agrare Ambjentaliste 3.607.519 leke
Partia Aleanca Demokratike 2.642.701 leke
Parti Demokracia Sociale 2.192.632 leke
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 2.145.573 leke
Partia Demokristiane e Shqipërisë 1.796.634 leke
Parti Bashkimi Liberal Demokrat 240.743 leke

Në total fonde të përfituara nga Buxheti 65.000.000 leke

Partitë që kanë përfituar fonde nga donatorët


Partia Demokratike 81.588.880 leke
Partia Socialiste e Shqipërisë 6.855.136 leke
Partia Republikane e Shqiprisë 500.000 leke
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 6.810.073 leke
Partia e të Drejtave te Mohuara e Re 8.800.000 leke
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 452.000 leke
Partia Rruga e Lirisë 324.000 leke
Partia G99 4.830.000 leke
Partia për Demokraci dhe Integrim 2.755.750 leke
Partia Socialiste e Vërtetë 91 769.800 leke
Partia Lëvizja e Legalitetit 162.500 leke
Partia Ora e Shqipërisë 90.000 leke
Partia Ligj dhe Drejtësi 492.100 leke

Në total fonde të përfituar nga Donatorë 114.430.239 leke


Totali i fondeve të shpenzuar nga secila parti:

Partia Demokratike 157.054.067 leke
Partia Socialiste e Shqipërisë 101.746.870 leke
Lëvizja Socialiste për Integrim 22.889.831 leke
Partia e të Drejtave të Mohuara e R e 15.060.000 leke
Partia Republikane 13.147.971 leke
Partia Agrare Ambjentaliste 11.294.801 leke
Partia Demokracia Sociale 10.484.816 leke
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 7.708.921 leke
Partia Socialdemokrate 6.841.000 leke
Partia G99 5.352.801 leke
Partia Aleanca Demokratike 2.642.701 leke
Partia për Drejtësi dhe Integrim 2.518.645 leke
Partia Demokristiane 1.946.975 leke
Partia Toleranca e Re 1.252.010 leke
Partia e Reformave Demokratike 1.150.000 leke
Partia Lëvizja e Legalitetit 1.031.500 leke
Partia Bashkimi Liberal Demokrat 958.877 leke
Partia Lidhja Demokristiane 900.000 leke
Partia Socialiste e Vërtetë 91 769.800 leke
Partia Ligj dhe Drejtësi 492.000 leke
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet 452.000 leke
Partia Rruga e Lirisë 350.000 leke
Partia Balli Kombëtar 220.000 leke
Partia Ora e Shqipërisë 158.090 leke
Partia për Mbrojtjen e te Drejtave te Emigranteve 100.000 leke
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar 75.700 leke


Penalizohen partitë që nuk kanë respektuar ligjin lidhur me transparencën e financave


Shkelen ligjin, KQZ penalizon të vegjlit


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të penalizojë të gjitha forcat politike që nuk i janë përmbajtur detyrimeve, që përcakton ligji zgjedhor përsa i përket regjistrimit të financimeve dhe shpenzimeve të tyre gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të shkuara parlamentare.


Në projektvendimin e saj të publikuar në faqen zyrtare në internet, KQZ-ja bën të ditur se nga shqyrtimi i raporteve të auditimit rezultuan se disa parti politike nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore.


Kështu, Partia Për Drejtësi dhe Integrim, Partia Ora e Shqipërisë, Partia Ligji dhe Drejtësi nuk kanë respektuar Kodin dhe nuk kanë regjistruar në regjistrin e posaçëm të miratuar nga KQZ-ja shumën e fondeve të përftuara nga personat fizikë apo juridikë.


Ndërsa 23 forca të tjera politike rezulton se nuk kanë respektuar kërkesën e parashikuar për të hapur një llogari të posaçme për dhurimin e fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë. Nuk mungon edhe rasti fshehjes së shpenzimeve të bëra nga parti të ndryshme, të cilat nuk i kanë dokumentuar ato.


Bëhet fjalë për PSD-në, PAA-në, PDK-në, PLL etj, të cilat nuk kanë respektuar kërkesat e parashikuar nga neni 91, pika 3 e Kodit zgjedhor pasi shpenzimet e kryera prej tyre për fushatën zgjedhore nuk janë dokumentuar duke respektuar legjislacionin tatimor. Për të gjitha këto shkelje KQZ-ja ka parashikuar sanksione administrative gjobë në masën 50 mijë lekë për secilen prej partive që nuk kanë respektuar kërkesat e ligjit.

Gjobiten në masën 50 mijë lekë:
Partia Aleanca Demokratike
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar
Partia Demokracia e Re Europiane
Partia e Gjelbër
Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
Partia Forca Albania
Partia Konservatore
Partia Republikane
Partia Demokracia Sociale
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
Partia Balli Kombëtar
Partia Lidhja Demokristiane
Partia Ora e Shqipërisë
Partia Ligj dhe Drejtësi
Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
Partia Konservatore

Gjobiten në masën 60 mijë lekë:
Partia Socialdemokrate
Partia Demokristiane
Partia e te Drejtave te Mohuara e Re
Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet
Partia Toleranca e Re
Partia për Drejtësi dhe Integrim
Partia e Reformave Demokratike Shqiptare
Partia Lëvizja e Legalitetit

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›