E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirel- Metës: Zgjidhni krizën politike

Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në KE, Pierre Mirel, bën thirrje për dialog


"Unë po inkurajoj që të ketë dialog në mënyrë që opozita të kthehet në Parlament"


TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, i bëri dje thirrje klasës politike shqiptare, që të zgjidhë krizën politike, që është krijuar në vend.


Ai kërkoi në mënyrë të veçantë, që opozita të jetë e pranishme në Parlament, në të kundërt e gjitha kjo do të ndikojë në Opinionin që do të hartojë Komisioni Evropian për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.


Gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, Mirel theksoi se debati politik bëhet në Parlament."Në një demokraci, debati politik, diskutimet politike mund të bëhen vetëm në Parlament dhe jo në rrugë.


Përndryshe do të kemi një ndikim në Opinionin që do të përgatisim ne, dhe për këtë do të shikojmë funksionimin e demokracisë, Parlamentin dhe do të shohim nëse ai funksionon. Prandaj, duhet gjendur mënyra që shumë shpejt opozita të kthehet në Parlament", - tha dje Mirel.


Ndërsa ministri i Jashtëm Ilir Meta theksoi se dialogu midis mazhorancës dhe opozitës nuk duhet të mbështetet tek kërkesa e saj për hapjen e kutive. Sipas Metës, askush nuk i përkrah ultimatumet.


"Të jeni të sigurt, që asnjë institucion në botë, të paktën në botën demokratike nuk kërkon rihapjen e kutive ose nuk parakupton kur flitet për dialog pikërisht këtë gjë. Askush nuk i përkrah ultimatumet, askush nuk e kthen kokën mbrapa më 28 Qershor.


Qeveria ka qenë e hapur për dialog. Të gjithë ta kuptojnë se dialogu do të thotë demokraci, nuk do të thotë ultimatum, nuk do të thotë destruktivitet", - u shpreh Meta. Ndërkaq, Drejtori i Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian shtoi gjithashtu, se për zgjidhjen e situatës politike në vend duhet gjetur gjuha e mirëkuptimit midis mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që kjo e fundit të jetë e pranishme në Kuvend.


"Pra, unë po inkurajoj që të ketë dialog mes pozitës dhe opozitës dhe që të gjendet zgjidhje në mënyrë që opozita të kthehet në Parlament për të kontribuar në këtë debat", - u shpreh ai.


Mirel vuri në dukje, se pjesëmarrja e opozitës në Parlament është një element i domosdoshëm, pasi ajo është një faktor kyç për kontributin në plotësimin e pyetësorit që do të lëshohet nga Komisioni Evropian. "Përsa i përket pyetësorit, të gjitha forcat në Shqipëri duhet të ndihmojnë. Dhe kur themi të gjitha forcat, duhet të kuptojmë edhe Parlamenti.


Dhe për këtë arsye, në mënyrë që Parlamenti të ndihmojë, dhe të kontribuojë ashtu siç bëmë edhe me Parlamentin në Malin e Zi, nevojitet apo lipset që opozita të jetë në Parlament", - nënvizoi Mirel. Ai shtoi edhe kërkesat që duhet të përmbushë Shqipëria.


"Ashtu sikurse kemi bërë edhe me vendet e tjera të rajonit në të kaluarën, unë kam thënë që ajo që është tepër e rëndësishme, vërtet e rëndësishme në këtë opinion, është se si duhen përmbushur kriteret politike, funksionimi i demokracisë, shteti i së drejtës, që do të thotë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias.


Pra, të gjitha këto kushte do të jenë pikërisht ato që do të merren parasysh në masën më të madhe të mundshme për përgatitjen e Opinionit të Komisionit Evropian, ashtu sikurse i kemi parë edhe në të kaluarën. Eshtë një sfidë vërtet e madhe por është edhe një shans tepër i madh për vendin që të ecë përpara", - pohoi Mirel.


PS: Sali nuk na tremb dot

TIRANË- Partia Socialiste nuk druhet nga qëndrimi i ashpër i mbajtur nga kryeministri Sali Berisha. Menjëherë pas deklaratës së Berishës për shkulje dhëmbësh e dhëmballësh me daret e "ligjit", ka reaguar edhe PS-ja përmes zëdhënëses, Armela Imeraj.


"I bëjmë thirrje Sali Berishës të qetësohet dhe ta harrojë se me fjalorin e dhunshëm të sekretarit të dikurshëm të partisë së punës mund të trembë ndonjë opozitar të këtij vendi siç terrorizonte dikur njerëzit e pafajshëm duke i shërbyer me zell të madh diktaturës komuniste. Sa për shkuljet e dhëmbëve të korrupsionit kemi frikë se po ta ketë seriozisht doktorit do t'i duhet të shkulë veten me gjithë familje e qeveri", - tha Imeraj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›