Berisha, mesazh drejtuar të gjithë anëtarësisë së PD
“Votoni për kryetar të PD kandidatin që besoni se do na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhshme”
"Të dashur miq,
me këtë mesazh dua t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh krenarinë time me ju anëtarët dhe anëtarët e PD për qëndrimin e qytetëruar, pritjen dinjitoze që po dëshmoni në takimet me kandidatet tanë në garë për kryetar të Partisë Demokratike. Me këto qëndrime ju po ndërtoni një vlerë të re, një mekanizëm të ri të demokracisë sonë, atë të zgjedhjes direkte të liderit të PD. Kjo ka rëndësi kombëtare. Sot i tere pushteti i PD qëndron tërësisht ne votën tuaj. Në këtë garë të gjithë anëtarët e PD pavarësisht me ose pa funksione partiake ose shtetërore jemi më të barabartë se kurrë në pushtetin tonë për zgjedhjen e liderit të ri të partisë sonë. Çdonjëri nga ne ka një dhe vetëm një votë. Me besim të plotë në mençurinë, vullnetin, ndershmërinë tuaj ju ftoj miqësisht në interesin më të mirë tuajin dhe të PD të përdorni votën tuaj jashtë çdo ndikimi për të zgjedhur në krye të PD kandidatin qe ju besoni dhe vlerësoni se do të na udhëheqë më me siguri drejt fitores tonë të ardhme.
Zoti ju bekoftë ju dhe Partinë Demokratike!"