Dy fjalë për ata që mbrojnë vrasjen e Aleksit
Këtë letër e kam për Artur Zhejin, Grida Dumën dhe Arian Çanin. Desha tu çoj fjalë kur ju pashë në një emision televiziv ku u revoltuat shumë që një kolegu i juaj e quajti vrasjet e 21 Janarit ndërprerje të demokracisë. Nuk kisha parë në këtë jetë një tërbim aq haluçinant dhe të frikshëm nga tre njerëz me shkollë të lartë, të cilët në një debat ku flitej për vrasës dhe të vrarë, ishin si qen të tërbuar në anën e vrasësve.
Po ju çoj fjalë përmes gazetës, ngase e di që ato ekranet tuaja i keni kthyer në frëngji nga ku qëlloni pas shpine si shefi juaj më 21 Janar.
Dua tu them së pari se gjyqi i 21 Janarit vërtet ka marrë rrugë të keqe, por nuk është mbyllur. Shumë nga çështjet e vrasjeve ende nuk janë gjykuar. Vrasja e nipit tim Aleks Nika, e cila dyshohet se është bërë nga një pistoletë si e Komandantit të Gardës, akoma nuk ka filluar të gjykohet. Nuk është se presim shumë tani prej drejtësisë, por qetësia për të pritur qoftë dhe gënjeshtër, në rastin e gjykimit të një vrasje, është vlerë e jona. Unë nuk e di çe keni atë turravrap për të mbrojtur me çdo kusht vrasjet dhe për ti quajtur ato legjitime, por di të them që po bëni ndoshta më shumë se ç’u kanë kërkuar dhe çfarë u takon të bëni për këtë çështje.
Nuk e njoh mirë shtypin, por me aq sa di, nuk besoj se në botë ka ndonjë gazetar që hynë në polemikë për të zgjedhur mes të vrarit dhe vrasësit, dhe të jetë me shumë pasion në anën e vrasësit. Ju u kam parë në atë ekran dhe paçi faqen e zezë.
Dua tu them së dyti se kur flisni për të vdekurit që tu bëni qejfin të gjallëve që i kanë vrarë, kini parasysh se ata që kanë vdekur kanë lënë pas njerëz gjallë. Aleksi ka lënë dy vajza të vogla jetime, gruan dhe familjen. Ne ju shikojmë dhe ndjehemi shumë të fyer që flisni për djalin tonë si për dikë që ska kush ta mbrojë. Mund të jeni inkurajuar që opozita se përmend më shpesh, mund tu duket se ata janë të vetëm nëntokë dhe su dëgjojnë, por e keni gabim.
Vëmendja me të cilën u dëgjojmë ne të gjallët kur doni të na përdhosni të vdekurit, është me e fortë edhe sikur të ndodhte tu dëgjonin vetë të vdekurit. Ndoshta ju mendoni se ata nuk kanë më rëndësi për ju, por duhet ta dini se ata janë shumë të rëndësishëm për ne, sidomos tani që duket sikur janë vrarë kot, sipas jush. Bëni mirë mos të na i rivrisni para sysh në ekran, siç na i vrau Sali Berishën me Lulëzim Bashën. Mos zëvendësoni Ndrea Prendin, Agim Llupon dhe snajperët e tjerë të pushtetit. Sado tu kenë paguar për këtë rol, nuk ka çmim që mund ta blejë jetën e një njeriu të vrarë në paqen e vet, në punën e vet dhe lirinë e vet për të protestuar. Bëni kujdes kur mendoni se po ribëhen heronj të Berishës duke rivrarë ata që vrau Sali Berisha.
Së fundmi, dua që përveç neverisë që kam ndjerë kur u pashë dhe dëgjova duke poshtëruar vdekjen e Aleksit, të shpreh dhe neverinë për çfarë po shikoj dhe dëgjoj përditë nga ju, duke dashur të shenjtëroni veprën e vrasësve. Unë kam një arsye të madhe të jem në luftë me pushtetin, por nuk kam arsye tu mësoj ju me kë të jeni. Ju mund ta votoni dhe në heshtje Sali Berishën nëse e keni idhullin tuaj. Ju mund të flisni dhe për ndonjë të mirë të tij nëse gjeni. Por nëse ju keni vendosur të lartësoni Sali Berishën si vrasës dhe të na poshtëroni ne si të vrarët e tij, atëherë jeni duke ngritur kultin e 21 Janarit në politikën shqiptare. Jeni duke u thënë shqiptarëve se kush ngre kokën për të protestuar, vritet. E di se mund ti trembni përkohësisht shqiptarët me këtë, se e kanë të freskët fotografinë e Aleksit, Ziverit, Hekuranit dhe Faikut. Por nuk mund ti trembni gjatë dhe përgjithnjë. Një ditë ne do ti japim të gjithë fund pritjes. Do ti japim fund pritjes nga drejtësia, pritjes nga politika dhe pritjes nga opinioni publik. Po u çoj fjalë se një ditë do të pendoheni që po merrni anën e vrasësve. Dhe në mos u pendofshi si intelektualë, do të pendoheni si servila dhe të pafytyrë. Po mirë është mos tu më dilni para as ashtu.
