Berisha mohon lidhjen me Gërdecin para prokurorëve
Debate në seancën e djeshme parlamentare. Leskaj kërkon sqarime nga Berisha për akuzat ndaj tij
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka mohuar edhe një herë dje që të ketë pasur dijeni për demontimin e municioneve në Gërdec. Një deklaratë e tillë e përsëritur ka provokuar jo vetëm reagimin e deputetëve opozitarë, por edhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme që shoqëronin shefen e tyre Ina Rama në raportimin e saj vjetor përpara Kuvendit mbi gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri. Megjithëse të ftohtë në qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështje, disa prej përfaqësuesve të organit të akuzës, të cilët po merren edhe me zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë së 15 marsit, i ka tradhtuar mimika dhe nuk kanë mundur që të mbajnë, ndoshta edhe me ironi, të qeshurat kur kryeministri Berisha, i provokuar nga deputetët e opozitës, u shpreh në sallën e Kuvendit se, “ajo që kam deklaruar dhe deklaroj, është se Kryeministri ka pasur zero dijeni për Gërdecin. Kjo është publike dhe jo gënjeshtrat tuaja. Zero dijeni! Ajo është e vërtetë e pamohueshme dhe s’ka njeri tjetër në Shqipëri dhe në botë që të faktojë të kundërtën”. Kjo deklaratë, por edhe përpjekja e shefit të ekzekutivit për ta paraqitur nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit me NATO-n si sukses të padiskutueshëm të qeverisë tij, ka sjellë reagimin e fortë të opozitës, deputetët e së cilës kanë replikuar ashpër me të. Ka qenë kryetarja e grupit socialist Valentina Leskaj ajo që duke marrë shkas nga fjala e Kryeministrit ka hapur debatin, duke i kujtuar atij se duhet të përgjigjet për të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij personalisht. “Kryeministër, sot janë ngritur akuza shumë të rënda, dhe jo vetëm sot, por ka kohë që janë ngritur akuza që nuk vijnë vetëm nga opozita, por vijnë nga raportet e ndërkombëtarëve, për krimin e organizuar, për korrupsionin që ju përfshin edhe juve personalisht, dhe do të ishte në nderin tuaj sot, që të kishit dhënë një përgjigje për këtë”,- tha Leskaj, duke evidentuar faktin se në Kuvend janë depozituar më shumë tetë kërkesat opozitës për interpelancë me Kryeministrin, të cilat nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit, i cili, duke replikuar, i ka quajtur akuzat e opozitës si shpifje dhe ka hedhur poshtë çdo mundësi implikimi të tijin dhe të familjes së tij si në zaptimin e pronave në Jug, ashtu edhe në shitjen e rërës në Itali. “Akuzohem se i paskam dhënë rërë, po këto janë çmenduri more! Po kujt i dhashë rërë unë, që nuk më ka kërkuar njeri rërë që kur jam bërë Kryeministër gjer më sot? Akuzohem se kam blerë prona në Jug, por unë s’kam një metër tokë në Tropojë dhe jo në një vend tjetër të Shqipërisë. Këto janë të gjitha produkt i politikës së re të mashtrimit, e cila për zëdhënëse ka zgjedhur dy individë që mashtrojnë nga mëngjesi deri në darkë”,- tha kreu i qeverisë, i cili nuk ka pritur të dëgjojë nënkryetarin e grupit socialist, Erion Braçe. Pavarësisht se Kryeministri është larguar nga salla, numri dy i grupit socialist Erion Braçe, në të drejtën e replikës në emër të grupit, ka këmbëngulur që të marrë fjalën, duke mos pranuar që të largohet nga foltorja e Kuvendit. Kjo ka detyruar kryetarin e seancës Fatos Beja që të ndërpresë disa herë punimet plenare, duke tentuar që të qetësojë situatën, duke i kërkuar Braçes dhe deputetëve të tjerë të opozitës që të linin podiumin dhe të zinin vendet e tyre në sallë. Pasi ka ndërprerë tre herë punimet e seancës, Beja, duke hasur në qëndrimin e opozitës ka mbyllur para kohe punimet e ditës së djeshme, duke shtyrë në këtë mënyrë dhe raportimin e kryeprokurores Ina Rama.