Berisha në Asamblenë politike të PPE: Protestat qytetare një reagim i gjerë kundër qeverisë

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane (PPE) që po zhvillohet në Vjenë, paraqiti një tablo të situatës politike në Shqipëri, duke e cilësuar vendin në “krizë të thellë institucionale, politike dhe sociale” të dirigjuar nga qeveria.
Berisha kërkoi ndërhyrje të partnerëve europianë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Në fjalën e tij para drejtuesve të PPE-së, Berisha falënderoi Presidentin Weber dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PPE-së për angazhimin dhe vizitën në Shqipëri, duke theksuar se raporti i dalë nga ky mision “reflekton realitetin dramatik në vend”.
Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, problemi themelor i Shqipërisë mbetet mungesa e zgjedhjeve të lira, të cilat ai i cilësoi si “farsë elektorale të dokumentuar nga institucione ndërkombëtare”.
Berisha tha se qeveria në prag të zgjedhjeve, ka përdorur shtetin për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, duke realizuar mijëra aktivitete publike në periudhë të ndaluar, duke falur gjoba me vlera miliarda euro që kanë ndikuar drejtpërdrejt mbi votën.
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë Politike të PPE-së, Berisha u shpreh se, kërkesa kryesore është krijimi i një qeverie teknike, që sipas tij do të garantonte kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ai gjithashtu i kërkoi PPE-së dhe partnerëve europianë të rrisin vëmendjen ndaj situatës në Shqipëri dhe të mbështesin protestën qytetare në Shqipëri që po sot ka hyrë në ditën e saj të 31, duke theksuar se ajo nuk është protestë partiake, por një reagim i gjerë qytetar.
“Shqiptarët disa vite më parë ishin njerëzit më të paguar në rajon, tani janë më pak të paguarit në rajon. Tani eksportojnë qindra mijëra ndërmarrje eksportuese kanë dështuar për shkak të eurove të drogës. Dhe shqiptarët po largohen. Në 10 vite, vetëm në zonën Schengen, sipas Eurostat, më shumë se 1,099,000 shqiptarë janë larguar për në vendet Schengen. Kjo është rreth 45% e kombit.
“Unë kërkoj me mirësi dhe vlerësoj shumë zonjën Sekretare të Përgjithshëm të PPE-së që të organizojë një konferencë mbi sektorin e sigurisë, grupin e sigurisë së PPE-së, që të vijë në Tiranë dhe të organizojë një konferencë mbi trafikun e drogës dhe pasojat e tij.Do të ishte një ndihmë e madhe për ju dhe për ne, sepse kjo situatë është shumë e rrezikshme për rajonin dhe për Evropën”, tha Berisha.
/m.q/a.f/