Rama ndan mesazhin e qytetarit: Mos jep dorëheqjen, kërkesat në protestë delire nga ata që duan pushtetin

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot komentin e një qytetari i cili i kërkon të mos japë dorëheqjen.
Komentuesi ndau po ashtu një mesazh që qarkullon në grupet e Whatsapp-it, i cili thekson se dorëheqja është kushti i pare dhe i panegociueshem, ndërsa kalimi direkt në zgjedhje të parakohshme është kurth.
“Ondrra n’beze i quajnë tironsit këto historitë e kores së zezë të mbetjeve social-politike mbi ujin e pastër të protestës, po aman lexojeni vetë çfarë më çon një protestues në arrati nga grupet whatsapp, ku u bëkan plane madhështore të cilat flasin vetë për nivelin e udhëheqjeve imagjinare të “Shqipërisë së re” të dështakëzemërakëve”, shtoi Rama.
Në komentin e tij, qytetari i kërkon Ramës që mos ta çojë nëpër mend dorëheqjen.
“Këtë po ta them unë një njeri që s’të do po që e kuptova si protestues i ndodhur me lloj-lloj soj intelektualësh gjoja nëpër grupe Whatsapp-i se ti o Rama je e keqa më e vogël! Shih çfarë deliresh dhe jo me flamingo s’kanë punë këta po janë një rracë derri që dhe duan pushtet dhe nuk mbushin hic, pupupu o Zot”, shkruan qytetari.
Ndërkohë ai ndan me kryeministrin edhe një mesazh që qarkullon në grupet e Whatsapp:
“1. Mendoj se fokusi te dorëheqja e panegociueshme. Nuk duhet të humbim kohë duke kërkuar ndryshime ligjesh specifike. Rama është mjeshtër i propagandës. Po kërkuam ligje, do t’i shfuqizojë taktikisht, do thotë “jua plotësova kërkesat” dhe do të mbajë karrigen. Dorëheqja është kushti i parë dhe i panegociueshëm!
- Në ndryshim nga avokati duke mos krijuar qeveri teknike, kalimi direkt në zgjedhje të parakohshme është kurth. Nuk ka kohë fizike për krijimin dhe regjistrimin e partive të reja nga radhët e protestës. Qeveria teknike ngrin sistemin, garanton paanshmëri dhe u jep kohë (9-12muaj) forcave të reja të organizohen si të barabarta.
- Presidenti dhe trupa diplomatike (Ambasadat SHBA/BE) duhet të vihen në dijeni menjëherë përmes një dokumenti te protokolluar zyrtarisht. Ndërkombëtarët mbështesin procedurat ligjore; kur shohin dokument zyrtar, na njohin si lëvizje shtetformuese dhe jo si revoltë rruge.
- Hapja e Frontit Ligjor (KQZ & Kushtetuese). Duhet të përgatitet që tani kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës dhe Ligjit për Referendumet. Nuk kemi kohë për të humbur. Duke depozituar kërkesën në KQZ, hapim një proces zyrtar me afate ligjore dhe krijojmë një presion të dyfishtë: popullin në rruge dhe popullin me letra në dorë duke firmosur nëpër tenda.
- Censusi për regjistrimin e popullsisë është baza për përgatitjen e zgjedhjeve të reja”
/m.m/a.f/