Balla: Personat që shkaktuan incidentet para Kuvendit nuk përfaqësojnë qytetarët

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi sot partitë e vogla politike se qëndrojnë pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se protestuesit që morën pjesë në incidentet ishin mbështetës të partive të drejtuara nga Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj.
“Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët dhe çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre. Këshilla që është dhënë edhe nga mbështetës të protestës ka qenë: Mos i lini partitë e vogla t’ju vjedhin protestën. Ajo që ndodhi sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga tre dështakë politikë”, u shpreh Balla.
Ai tha se personat që shkaktuan incidentet nuk përfaqësonin qytetarët që kishin dalë për të protestuar për mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij ishin të organizuar nga këto forca politike.
Në fjalën e tij, Balla hodhi akuza edhe ndaj Dritan Goxhajt, për lidhjet e tij me Iranin. Balla shtoi se Goxhaj “jo vetëm që duhet ndaluar nga policia, por duhet hetuar thellësisht për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit”.
/m.m/a.f/